Shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m².
Agjentët imobiliarë pohojnë se edhe rritja e normave të interesit të kredive dhe mungesa e një amnistie për të ardhurat e padeklaruara po tkurr numrin e blerësve të pronave. Si ekspertët, edhe ndërtuesit, nuk parashikojnë rënie çmimesh.
Rritja e taksave nga ndryshimi i çmimeve të referencës, sipas Shoqatës së Ndërtuesve, pritet të sjellë shtrenjtim të pronave nga 150 deri në 300 euro/m². Në rënie janë dhe investimet e huaja në pasuri të paluajtshme
Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë, sipas agjentëve imobiliarë, e ka nisur sezonin e vjeshtës me kërkesë më të ulët për apartamente. Ky trend pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.
Drejtuesi i agjencisë imobiliare “Future Home”, z. Fatjon Hysenbelliu, tha se ka rënë kërkesa për prona me vendndodhje pranë qendrës, me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Ky trend është parë edhe për banesat e tjera në zonat afër qendrës.
Në të kundërt, kërkesa për banesa rezidenciale në godinat e ndërtuara 2-3 vitet e fundit dhe në ndërtimet e sapopërfunduara në zonat jashtë Unazës së Vogël në Tiranë është e njëjtë me vitin e kaluar.
“Trendi i rritjes së çmimeve të pronave, të papërballueshme nga masa e gjerë e popullsisë, si dhe rritja e kërkesës për blerje në zonat bregdetare të Jugut, janë disa nga arsyet që po ndikojnë te tkurrja e kërkesës,”pohon ai.
Edhe pritshmëritë e ndërtuesve për kontratat e shitjeve janë në kahun rënës. /Monitor