Adriano Celentano, legjenda e muzikës italiane dhe në përgjithësi e botës sonë të argëtimit. Një personazh i shumëanshëm dhe asnjëherë banal, një pararendës i tendencave të shumta dhe i aftë për t’i provuar të gjitha, këngëtar, aktor, regjisor, prezantues televiziv. Adriano Celentano është e ky dhe shumë më tepër.
84-vjeçari prej disa kohësh i ka rralluar daljet publike për shkak të moshës, por fansat nuk e harrojnë. Këngëtari i cili ishte i pari që kuptoi ndikimin që mund të kishte rock’n’roll në muzikën italiane, i konsideruar si një nga legjendat e saj të gjalla, më vonë u bë shumë i famshëm në televizion për programet e tij, në të cilat nuk iu shmang asnjëherë të ngrinte tema të nxehta. Pjesë e historisë së kinematografisë italiane janë bërë edhe eksperiencat e tij si aktor.
Prej disa vitesh ai mban kontakte me fansat përmes një profili social të cilin e përditëson herë pas here me reflektime për ngjarjet aktuale. Një profil në Instagram i ndjekur nga mbi 67,000 ndjekës, një shifër që tregon se sa shumë Adriano është ende një personazh me ndikim në kulturën italiane.
“Kam rreth njëzet vjet që mendoj se jam në fazën zbritëse të jetës dhe kam nisur të mendoj për jetën tjetër. Për këtë jetë nuk pres gjë, për tjetrën kam projektet e mia. Jam penduar që nuk studiova, atëherë kur mundesha. Tani më pëlqen të studioj, dikur nuk më pëlqente. Ndoshta tashmë do të isha një person tjetër, me kollare. Nuk e kisha ëndërruar asnjëherë të këndoja, mendoja se do të isha orëndreqës gjithë jetën time.
Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk ekziston lumturia afatgjatë. Nëse dikush është i vetëdijshëm për këtë fakt, atëherë mund ta thotë me siguri nëse ka ndjerë apo jo lumturi në jetë. Dihet se gjithçka, çdo moment lumturie, çdo arritje që mund të sigurosh, është e paraprirë nga një punë e vazhduar që duhet të bësh: Nëse nuk investon për lumturinë, ajo nuk vjen vetë të të kërkojë”, shprehet Adriano Celentano.