
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka bërë ndryshime në listën e kandidatëve për deputet, duke shkaktuar polemika dhe ironi.
Babai i Adriatik Lapajt, Ferman Lapaj, i cili më parë kryesonte listën e këtij koalicioni në Berat, nuk figuron më në versionin e finalizuar në KQZ.
Në vend të tij, lista kryesohet nga Aleksandër Bacaj.
Adriatik Lapaj duket se ka tentuar të korrigjojë furtunën që u krijua në raport me listat e kandidatëve për deputet të koalicionit të tij “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Lajmi se babai i tij, Ferman Lapaj, ishte kryesues i listës së koalicionit në Berat bëri menjëherë xhiron e mediave.
Në një reagim në rrjetet sociale para dy ditësh, Lapaj u përgjigj duke thënë se po përdorej kundër tij një listë paraprake dhe se kandidimi i njerëzve të besuar në listat e mbyllura është forma se si Shqipëria Bëhet po refuzon listën e mbyllur.
Sipas Lapajt, kandidatët realë janë në listat e hapura, dhe në rast fitoreje të mandatit, ato njerëz të besuar në listë të sigurt do të tërheqin emrin për të lejuar kandidatin nga me më shumë vota nga lista e hapur të marrë mandatin.
Por kjo paqartësi nga koalicioni Lapaj-Shabani ka shkaktuar ironi në rrjetet sociale.
Përveç rastit të babait, lajm bëri edhe marrëveshja e lënë përgjysmë e minutave të fundit me Dash Sulën, deputetin e zhgënjyer të Partisë Demokratike, me kritikë që e quajtën pazar të prishur.