Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga reparti special RENEA, kanë bastisur në oret e para të mëngjesit të sotëm, banesën e deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja.
Aksioni i befasishëm është zhvilluar ende pa zbardhur dita, në fshatin Zezë të zonës së Niklës.
Ka qenë një vendim i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lëshuar në sekret të plotë, më date 17 janar 2023, pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqesore, i cili ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gazetari Artan Hoxha, raporton në blogu e tij “Xhungël” se se “Objektiv i këtij aksioni, ka qenë gjetja dhe ndalimi i shtetasit Ramazan Rraja, 30 vjeç, banor i njesisë administrative Nikël në zonën e Fushë Krujës. Po ashtu është ushtruar kontroll i banesës së tij në fshatin Zezë, sëbashku me automjetin, të cilin ai ka në perdorim. Qëllimi i kontrollit të banesës dhe automjetit, ishte gjetja apo zbulimi i provave me rëndësi për hetimin që po kryen SPAK”.
Hetuesit e BKH-se, të mbështetur nga grupet e depërtimit të repartit special RENEA, kanë mbyllur në rrethim në orët e para të së enjtes, vilën 3 katëshe në fshatin Nikël. Më pas, në zbatim të vendimit te Gjykatës Speciale, kanë hyrë në ambientet e brendeshme duke ushtruar kontroll të hollësishëm ndaj çdo personi që gjendej aty.
Agjentët e BKH-së, kanë bastisur në menyrë të imtësishme çdo ambient te vilës, për të gjetur materiale apo prova në lidhje me hetimin.
Në vendimin e gjykatës speciale, vila 3 katëshe sëbashku me hapësirën perreth saj, e rrethuar nga një mur i lartë mbrojtës dhe e pajisur me sistem sigurie me kamera, është përcaktuar si objekt në pronësi dhe në perdorim të shtetasit Ramazan Rraja.
Hetuesit e BKH-së, kanë mbetur të befasuar, kur në banesë në vend të personit që kërkonin, kanë gjetur xhaxhain e tij, Rrahman Rraja, deputet i Partisë Socialiste dhe familjen e tij.
Deputeti i PS-së, u ka komunikuar agjentëve të BKH-së, se në banesë gjendet vetëm familja e tij. Ndërsa nipi i tij, Ramazan Rrahja, ka kohë që jeton në kryeqytet. Por ky fakt nuk i ka penguar agjentët e BKH-së të ushtrojnë kontroll në çdo cep të godinës pavarësisht faktit se aty gjendej vetëm deputeti i PS-së dhe familja e tij.
Pas me shumë se dy orësh, agjentët e BKH-së dhe trupat speciale RENEA, kanë përfunduar kontrollin duke u larguar pa gjetur as personin që kërkonin dhe as mjete të kundraligjshme.
Një burim nga SPAK, konfirmoi për “Xhungel” se “aksioni i sotëm i BKH dhe RENEA, është zhvilluar në vijim të hetimit për atentatin e 1 nëntorit 2019, ku mbeti i plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoj, miku i tij Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut” dhe humbi jetën shoferi i Ndojit, Andi Maloku”.
Ramazan Rraja, për herë të fundit u shpall në kërkim policor pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Sipas gazetarit Hoxha, në atë kohë, Ramazan Rraha ndodhej jashtë vendit.
Ai u shoqërua nga policia e Fushë Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e Fly Dubai nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës se 17 korrikut, në mbikalimin e Fushë Krujës dhe pasi provoi se ditën e ngjarjes, ndodhej jashtë territorit te Shqipërisë, u la i lirë disa orë më vonë.