AKSHI në “lupën” e SPAK, kush është Daniel Shima që Ahmetaj tha se është kërcënuar direkt nga Rama!
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë dje një intervistë nga arratia dhe ka akuzuar ish-shefin e tij, kryeministrin Edi Rama se është njeriu kryesor që ka iniciuar akuzat ndaj tij.
Sipas Ahmetaj, familja e kryeministrit është kapur në përgjim ambiental për tendera në vlerën e 43 milionë eurove.”Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush tjetër e ka. Dikush e ka, dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj, është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 mln nëpërmjet prestanomeve”, u shpreh Arben Ahmetaj.
Në intervistën e tij të dytë për Syri TV nga arratia, tha se përmes personave të tjerë të lidhur me familjen e kryeministrit, të ashtuquajturit “prestanome“, janë marrë 43 miliardë lekë tendera përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Agjencia e drejtuar nga Mirlinda Karçanajështë vënë në “lupën” e Prokurorisë së Posaçme dhe disa muaj më parë, ajo është thirrur për t’u pyetur në SPAK.
“Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome, që ka marrë 43 mln, që është rritur në mënyrë të papritur, ju këput filli trak. Pse, se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi. Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 mln. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër”, u shpreh Arben Ahmetaj.
Kompania “ABS” që ai ju referuar gjatë bisedës është “Advanced Business Solutions” dhe është akuzuar më herët për marrjen e tenderave të dyshimtë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Po “Danieli” kush është?
“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”, vijoi ish-zv.kryeministri.
Në fakt, Danieli është numri 2 i AKSHIT.
Bëhet fjalë për shtetasin Daniel Shima, i cili mban postin e zëvendës drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, një ndër zyrtarë më të lartë të kësaj agjencie, direkt pas drejtueses Mirlinda Karçanaj.
Ai është akuzuar publikisht për disa tendera të dhënë nga AKSHI, ndërkohë që vetëm një vit më parë është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës, por asnjëherë nuk pati informacion nëse ai ishte kërcënuar, apo se përse i rrezikohej jeta.