Pas kërkesës së kreut të grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për një interpelancë për vëllanë e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ka ardhur edhe reagimi i kreut të qeverisë.
Në një status të gjatë, Rama shkruan se një kërkesë e tillë nuk mund t’i përgjigjet pasi janë thjesht hipoteza haluçinante që nuk kanë lidhje me asnjë realitet faktik.
Për më shumë, ai ia lë në dorë drejtësisë, duke i thënë se “Ta presë me durim edhe SPAK-un”.
Postimi i Ramës
Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rendesishme te veprimtarise se tyre”.
Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur.
Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri. Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik.
Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”.