Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës prej disa ditësh janë mbuluar me një shtresë algash të gjelbra, të cilat, mesa duket janë të rrezikshme dhe helmuese për speciet që jetojnë në ujëra.

Alarmin e ka dhënë Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe aktivist mjedisor.

Në një postim në rrjetet e tij sociale, Miho shprehet se në ujë janë identifikuar cianobaktere të rrezikshme dhe helmuese që gjenden shpesh në komunitetin e fitoplanktonit të ujërave të ëmbla.

Pasi ka pikasur dukurinë në liqen, profesori Miho ka marrë një mostër uji dhe e ka analizuar në laborator, duke zbuluar se bëhet fjalë për cianobakterin “Microcystis aeruginosa”. Ndaj edhe i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës që me urgjencë të largojë shkarkimet dhe grumbullimin e ujërave të zeza nga liqeni.

“Këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ndotjes së madhe me lëndë ushqyese, që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen,”-shkruan profesor Miho në një reagim publik në Facebook.

ZBULIMI I PLOTË:

Në këto ditë në sipërfaqen e ujërave të Liqenit të Tiranës vihet re qartë një pelte jeshile algash në shtrirje relativisht të gjërë. Studenti Shpetim Vata në diplomim e sipër në MSc. Biologji e Mjedisit në DEPARTAMENTIN tonë të Biologjisë, bëri një vëzhgim të shpejtë në mikroskop në një mostër nga uji i Liqenit (dt. 9.10.2024). Bëhet fjalë për një lulëzim të cianobakterit Microcystis aeruginosa, ndër të tjera i njohur si lloj helmues. Në formë të tillë të dendur ky lloj është gjetur për herë të parë prej nesh në Liqenin e Tiranës. Këtu po sjellim të dhëna lidhur me këtë dukuri. Këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ngarkesës së madhe (ndotjes) me lëndë ushqyese që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë Liqen. Mbetet e ngutshme për Bashkia Tiranë Bashkia Tiranë, grumbullimi dhe largimi i shkarkimeve nga Liqeni! Por sidomos mbetet sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për gjithë pellgun e Tiranës, si domosdoshmëri për cilësinë e jetës për njeriun dhe për gjithë botën e gjallë.

Microcystis aeruginosa është një specie e cianobaktereve të ujërave të ëmbla që mund të formojnë lulëzime të dëmshme algash me rëndësi ekonomike dhe ekologjike. Në vitin 2009, vdekshmëria e paprecedentë e gjitarëve në pjesën jugore të Parkut Kombëtar Kruger çoi në një hetim që implikoi pikësisht këtë lloj alge. Për shkak të infektimit të ujit me këtë bakter, shumë kafshë që preferonin të pinin nga ana e pjerrët e dy digave, ngordhën. Po ashtu, microcystin është lidhur me vdekjen e lundërzave të detit në vitin 2010, një specie e kërcënuar në SHBA.