Një i ri është shoqëruar nga efektivët pasi alarmoi Policinë e Shtetit me lëvizjet e dyshimta para Kuvendit të Shqipërisë.
Prej rreth 30 minutash ai ka lëvizur në mënyrë të dyshimtë në hyrje të Parlamentit.
“Kam punë me doktorin”, dëgjohej duke thënë teksa fliste në telefon. Ai ishte i veshur me të zeza, ndërsa mbante kapuç në kokë dhe një çantë të zezë.
Në Shqipëri, seanca e sotme e parlamentit u mbizotërua nga kaosi dhe përplasjet mes opozitës dhe shumicës.
Deputetët demokratë të cilët kishin hyrë më herët në sallë, mblodhën të gjitha karriget duke i grumbulluar ato përpara foltores së parlamentit, një veprim i cili u shoqërua dhe me konflikte direkte mes tyre dhe kolegëve socialistë.
Qëndrimi i sotëm i opozitës ishte paralajmëruar prej saj, ndërsa drejtuesit demokratë ishin shprehur haptazi se “nuk do të ketë zhvillim normal të punimeve të parlamentit, përsa kohë nuk do të respektohen të drejtat e opozitës”.