Fatura e pa paguar e katër të rinjve italianë në Berat bëri xhiron e mediave vendase e të huaja, një ngjarje së cilës  iu bashkua edhe reagimi i Kryeminstres së Italisë, Giorgia Meloni.

Për këtë rast, Alban Skënderaj ka reaguar në rrjetet sociale duke u shprehur se në rastet kur ligji në Itali thyhet nga shqiptarët nuk përbën lajm, por në situatën konkrete ngjarja u transmetua deri te kryeministrja.

“Standardet e vendosura nga pala jonë në debatin e faturës së pa paguar nga turistët italianë praktikisht i bie të jenë vendosur mbi faktin e kryer se:

‘Ju italianët jeni superiorë dhe ne shqiptarët jemi inferiorë, ndaj ne e pranojmë se nuk është lajm, por disi më e zakontë kur ne thyejmë ligjin në Itali por nëse ndodh (si rrallëherë) nga italianët ndaj nesh, duhet të bëhet lajm të cilin duhet ta çojmë deri tek Kryeministrja e Italisë’.

Kryeministrja italiane në këtë rast duke u skandalizuar e duke reaguar praktikisht e pranon superioritetin.

P.s besoj më lejohet një koment rreth çështjes sepse kam jetuar gjatë në Itali  (dhe kam vetëm simpati e dashuri për Italinë dhe popullin italian)”, përfundon shkrimi.

Kujtojmë që Meloni u informua nga Kryeministri Rama për ngjarjen, siç zbuloi vetë ai dhe urdhëroi menjëherë ambasadorin që të paguante faturën prej 80 Eurosh.