edi rama erion veliaj sali berisha ilir meta

Editorial-Gazeta Jonë

Mustafa Nano ka dhënë një kontribut të rendësishëm në shtypin shqiptar atëhere kur kishte vërtetë shtyp, duke përjashtuar partizanizmin e periudhës para se Rama të vinte në pushtet. Në një shpërthim emocional në një studio televizive, teksa Berisha ishte shumë i fortë në pozitat e tij, ai tha shprehjen e famshme se “nëse do të ishte nevoja, gjithë qelbësirat të bëheshin bashkë, vetëm që Berisha të largohej”.

Duket se këtë “profeci” të Mustafa Nanos, Rama, ndoshta ishte ende periudha kur lexonte dhe dëgjonte ndonjë gjë, e mori si “playbook” dhe nisi ta aplikojë nga fillimi deri në fund duke futur në parlament lloj lloj horri nga veriu në jug, gjë që u pasua me kanabizimin e vendit dhe të gjitha mënxyrat e tjera, për të arritur deri sot ku korrupsioni është galopant, kurse vendi është kthyer në një lavatriçe gjigante pastrimi parash, ndërsa mafia është ajo që merr vendimet se ku do të ndërtohen kullat dhe kush do të marrë copa toke në bregdet.

Megjithatë, duket se 12 vjet pas “profecisë” se Mustafa Nanos, po ravijëzohet një tjetër aleancë qelbësirash, tashmë jo më gangsterë provincash, por “horra bulevardi” me pushtet.

Objektivi është SPAK-u.

Sali Berisha është betuar se do ta shkrijë SPAK-un sapo të vijë në pushtet edhe pse mënyra se si po bën listat tregon se qëllim primar ka konsolidimin e pozicionit të tij në parti dhe garantimin e lirisë së familjarëve në vijim.

Kryedemokrati madje, e cilëson SPAK-un organizatë kriminale. Në fakt, është e njëjta “organizatë kriminale”, e cila arrestoi në mënyrë të guximshme kryebashkiakun Erion Veliaj duke mbajtur mbi supe tani një revansh sulmesh të pashembullta ndaj prokurorit Ols Dado, kryeprokurorit Altin Dumani dhe të tjerëve.

Pas arrestimit të Veliajt, tashmë është Rama që flet për “rifutje nën kontroll” të SPAK-ut, ndërsa Veliaj e ka lëshuar pa frena fare duke sulmuar, shantazhuar, kërcënuar dhe fyer prokurorin Ols Dado.

Nga ana tjetër, Ilir Meta, i arrestuar me një dosje voluminoze, por në një mënyrë që s’duhej të ndodhte, është po ashtu përballë SPAK duke kërkuar “rikthimin e tij në “shinat Veneciane”. Meta në fakt po përdor të njëjtën retorikë si Rama, ashtu edhe Veliaj, ndërsa trumpisti Berisha është edhe më i avancuar në deklaratat e tij, teksa të katërt kanë një qëllim: Të shpëtojnë nga SPAK!

Berisha kërkon të shpëtojë nga SPAK duke e shkrirë, kurse Rama, Veliaj dhe Meta janë edhe më “malinj” sepse duan ta marrin nën kontroll.

Është në dorën e asaj pjese të shoqërisë që ka mbetur ende e pakalbur që të mbrojë SPAK-un dhe prokurorët kurajozë që po shkallmojnë tribunën e korrupsionit galopant në këtë vend, me të mirat dhe të këqijat e këtij procesi.

Duket qartë se Sali Berisha, Edi Rama, Erion Veliaj dhe Ilir Meta janë bërë bashkë dhe duan të shpëtojnë nga SPAK në dëm të interesave të shqiptarëve dhe fëmijëve tanë duke ndërtuar një aleancë, kësaj radhe super qelbësirash. /gazetajone