Dorëheqjet e bujshme në Policinë e Shtetit duket se nuk janë të vetmet që po bëjnë bujë në këto ditë të para të shtatorit.
Pak më parë ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i RTSH-së Alfred Peza, i cili mori detyrën një vit e gjysmë më parë. Ndërkohë, siç mëson Gazeta Jonë, kandidatura e kryesore për zëvendësimin e Pezës në krye të RTSH është Sokol Balla, i cili aktualisht drejton televizionin qeveritar ABC News.
Balla mori drejtimin e ABC në nëntor 2022 pasi televizioni kaloi në pronësi “de jure” të devollëve të Kosovës dhe pronësi “de facto” të Shefqet Kastratit dhe Erion Velisë, të cilët e financonin me para për dhënien e pagave dhe shpenzimet e tjera.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se ndryshimet do të jenë të forta në ABC Neës pas largimit të Ballës, i cili kishte rritur ndjeshëm shpenzimet dhe pritet që të zëvendësohet me një emër disi më modest për të mbajtur nën kontroll kostot që me Ballën kapën majat.
Devollët nuk kanë më ndërmend të shpenzojnë shumë para për media në Shqipëri, ndërkohë që me nisjen e hetimit pasuror ndaj Veliajt dhe familjes së tij, është tërhequr nga financimi edhe kompania Gogel.al e vëllait të Veliajt, Arbrit. /Gazeta Jonë