Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka kërkuar sërish lirinë.
Në rekursin dorëzuar Gjykatës së Lartë, Gjici kërkon lirimin e tij nga burgu me pretendimin se afera seksuale me Alma Kaçin ka qenë një kurth politik i ngritur ndaj tij.
Sipas “TopChannel”, në kërkesën e tij, Gjici gjithashtu pretendon se akuzat për të cilat janë shpallur fajtor nuk qëndrojnë pasi as nuk ka kryer shpërdorim detyre, as korrupsion.
Për të, marrëdhënia seksuale është kryer me dëshirën e Alma Kaçit dhe se e vetmja shkelje është ajo morale dhe etike.
Ndaj për të mbrojtur tezën e tij shton se nuk ka kryer asnjë favor që mund ta shpallë fajtor për korrupsion, pasi në protokollin e Bashkisë së Kukësit nuk është dhënë asnjë tender ndaj Kaçit apo projektit që ajo ‘shpiku’ për stehimoren e kafshëve endacake.
Më 24 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit shtoi dënimin duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin.
Ky i fundit u dënua përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg. Kohë kjo, që me gjykimin e shkurtuar shkon në 3 vite heqje lirie.
Pas rekursit të SPAK për ndryshim të akuzës, Gjici u dënua me vendim të formës së prerë tashmë jo për shpërdorim detyre por për korrupsion pasiv.
Por edhe për Alma Kaçin u ndryshua vepra penale. Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ajo u dënua për prostitucion, ndërsa Apeli e ka shpalli fajtore për korrupsion aktiv, duke e dënuar me 1 vit e 6 muaj burg.
Gjatë kohës që ai ndodhet në qeli, ka pasur raportime se shpesh ka qenë në spital në gjendje të keqe shëndetësore, madje se në një rast tentoi t’i jepte fund edhe jetës. Në këtë rast, u raportua se ishte Fredi Beleri ai që ndërhyri në kohë për t’i shpëtuar jetën.