I famshëm për bregdetin e tij të bruztë, vilat luksoze dhe klubet ekskluzive të plazhit, Mykonos konsiderohet destinacioni i padiskutueshëm i pushimeve për super të pasurit.
Daily Mail i ka kushtuar një artikull këtij ishulli që vizitohet nga njerëzit më të pasur të botës, por që ka një anë të errët. Pikënisjen e kanë marrë nga vrasja e topografit grek Panagiotis Stathis, 54 vjeç, i cili ishte duke parkuar BMW-në e tij blu jashtë zyrës së tij në orën 8:30 të mëngjesit në lagjen Psychiko të Athinës. Pikërisht në këtë moment, një person me motor, i veshur i gjithi me të zeza dhe me një helmetë të bardhë në kokë i afrohet tek xhami. Ndalon motorin dhe nxjerr nga xhaketa një armë zjarri me të cilën qëllon dhjetra herë shënjestrën e tij duke i sjellë vdekjen. Pasi kryen “detyrën” vendos prapë armën në xhaketë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Mënyra e vrasjes ka nxitur autoritetet greke të besojnë se e gjitha ishte e urdhëruar nga mafia. Por kjo lloj vrasje nuk është e zakonshme. Zakonisht vrasjet ndodhin për shkak të tregtisë së drogës apo pazare të prishura, ose ndonjë borxh. Në këtë rast nuk ishte kështu. Stathis është vrarë për një tokë në Mykonos, 160 km larg Athinës. Vendasit pretendojnë se shumica e ishullit drejtohet nga mafia greke duke ushtruar kontroll tek inxhinerët dhe topografët për të bërë ndërtime në mënyrë që të fitojnë para nga miliona turistë që vizitojnë ishullin.
Hetuesit grekë besojnë se vrasja e topografit u bë në këmbim të një shume prej 100 mijë eurosh. Tashmë është vënë një person në pranga, por, hetimet vazhdojnë.
E gjitha ka nisur për një mosmarrëveshje për një tokë në ishull. Stathis kishte blerë një parcelë prej 9.5 hektarësh ngjitur me vendin ku është planifikuar që të ndërtohet hoteli luksoz “Four Seasons”, duke penguar kështu përpjekjet e një agjenti lokal të pasurive të paluajtshme për të blerë të njëjtën pronë.
Stathis dhe partneri i tij i biznesit arritën të bllokonin përpjekjet e agjentit dhe ta blinin vetë pronën. Por emrat e tyre nuk figurojnë askund pasi tokën e kanë hedhur në emër të të afërmve të tyre. Në gusht 2020, Stathis siguroi një leje për të ndërtuar një hotel me pesë yje në të njëjtën pronë. Leja u dha me afat deri në gusht 2021. Në këto kushte ai rishikoi lejen për të reduktuar volumin e ndërtimit, por duket se qëllimi përfundimtar ishte që toka të shitej për ndërtimin e “Four Seasons”.
Pas vrasjes së Stathis, Policia zbuloi gjithashtu një grup njerëzish të drejtuar nga figura të njohura kriminale me bazë në Athinë që u vinin gjoba bizneseve. Këto grupe u kërkonin 5000 euro në muaj në mënyrë që t’i linin të punonin gjatë sezonit turisik. Para se të vritej, Stathi ishte sulmuar tre herë më parë në Mykonos dhe Athinë. Dy nga këto sulme në Athinë mendohet se i ka kryer shqiptari Alfons Ndoci, tashmë i vrarë. Shqiptari që u vra në burg ishte paguar nga persona të fuqishëm me interesa në fushën e ndërtimit në ishullin grek. Ndaj hetuesit greke kanë dyshime se për të krijuar kushtet për vrasjen e Stathit, fillimisht është urdhëruar vrasja e Alfons Ndocit, me qëllim që ai mos të fliste për urdhëruesit e mundshëm të vrasjes së topografit.
Më herët mediat greke kanë raportuar të tjera detaje mbi Alfons Ndocin, teksa shkruanin se dyshohet se ka operuar nën urdhrat e biznesmenit shqiptar Tonin Preka 42 vjeç që jeton në Mykonos. Mes urdhrave që ka marrë nga Preka, dyshohet se ka qenë edhe rrahja e një biznesmeni, i cili aktualisht dyshohet si urdhërues i vrasjes së topografit. Megjithëse punoi për Prekën, Ndoci u nda prej tij për mosmarrëveshje ekonomike. Në nëntor 2022, Ndoci u kthye në Mykonos dhe rrahu e grabiti Tonin Prekën. Bashkë me shqiptarin Gerald Jaho, 25 vjec, ata i morën Prekës 40 mijë euro.
Në janar 2023, teksa ndodhej në një qendër tregëtare në Athinë, Preka ka pikasur dy shqiptarët dhe ka njoftuar policinë se dy personat që e kishin grabitur ndodheshin pikërisht aty. Policia arriti t’i kapë ata pas një ndjekje me makina që shkaktoi edhe përplasje me mjete të parkuara. Alfons Ndoci rezulton se në vitin 2014, gjatë një grabitjeje në Elefsina, vrau pronarin e dyqanit për shkak se ai rezistoi. Gjatë kohës që ishte në burg, në vitin 2018 ai u arratis nga mjeti i transportit të burgut në Portin e Patras bashkë me tre të burgosur të tjerë, përfshirë Xhuliano Halilin. Madje me këtë të fundit u kap disa ditë më pas nga policia. Ky i fundit është personi që morri përsipër vrasjen e Ndocit në Koridhalo. Xhuliano Halili 41 vjec, i njohur si “Niko” rezulton i dënuar për vrasjen e babë e bir, Fillim e Oligert Mesaja, në vitin 2011 në Kalamata. Vrasja atëherë ishte porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh. Në janar 2021, Varelas u gjet nga policia greke në një mjet “BMW” me xhama të zinj bashkë me shqiptarin Alket Rizai. Të dy kishin dalë me leje nga burgu.
Sipas medias greke, Alfons Ndoci, para se të vritej, me sa duket nga frika se mund t’i ndodhte diçka e rëndë, ishte kujdesur që të niste tek “Zougla” bisedat e regjistruara mes tij dhe një partneri kontraktor në Mykonos. Media greke pretendon se i ka këto rregjistrime por ende nuk i ka publikuar. E njëjta media hedh dyshime se vrasja e Ndocit është lejuar nga gardianët e burgut pasi nga pamjet e siguruara prej saj del se Xhuliano Halili dhe Etem Hoxha dalin të armatosur me thika nga zyra e kryegardianit Lamropoulo dhe janë lejuar të kalojnë sektorin nga gardiani Kokkinakis i cili u ka hapur portën. Sapo ai e ka mbyllur sërish atë, dy shqiptarët kanë sulmuar Alfons Ndocin.