erion veliaj

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka regjistruar kërkesën e ankimimit të avokatëve të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 4 personave të tjerë nën hetim.

Shorti i hedhur ditën e sotme, ka caktuar si trup gjykues monokratik gjyqtarin Engert Pëllumbi, por pa e caktuar datën e seancës.

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj, ka ankimuar masat e vendosura më 9 dhe 12 shkurt të këtij viti nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë GJKKO, me gjyqtar Erjon Bani dhe prokuror të SPAK, Olsi Dado. Po ashtu, masat shtrënguese janë ankimuar edhe nga Meriman Palushi, Shkelqim Fusha, Gentian Sula dhe Elman Abule.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Apelit të GJKKO-së. /gazetajonë