Gjykata e Apelit “foli”, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji do të dënohet me 1 vit heqje lirie. Demokrati ishte shpallur fajtor për “kallëzim të rremë” nga Shkalla e Parë.
Pas vendimit të Gjykatës, në një prononcimpër mediat e pranishme, drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Salianji e cilësoi vendimin si “politik” dhe sulm ndaj opozitës para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Ndër të tjera në fjalën e tij, demokrati shtoi se është gati që të kryejë dënimin, duke shtuar me ironi se është ndëshkuar për “agjitacion dhe propagandë”. Megjithatë, nuk la pa shtuar se do të kryejë dënimin, por jo pa e kaluar çështjen e tij në të gjitha hallkat e drejtësisë. Pritet që dosja të kalojë tani në Gjykatën e Lartë.
REAGIMI I PARË PAS VENDIMIT:
Salianji: Sot Gjykata në mënyrë të paprecentë në vend që të rikthente vendimin në shkallën e parë dha vendimin. Është një vendimmarrje e gjykuar nga gjyqtarë…njësoj sikur të jenë anëtarë të PS. Vendimmarrja u shty pa pasur nevojë. Njëra nga gjyqtaret është kunata e Belinda Ballukut, tjetri është një superordiner dhe do e kuptoni shumë shpejt shpejt. Thotë në çdo tavolinë që unë do të shkoj në Gjykatën e Lartë edhe sikur të jetë nevoja që të vras një njeri. Unë kam bërë shërbim publik, nuk kam bërë betejë për të vrarë apo për trafik droge. Do ta bëj këtë betejë. Ky është akti i parë. Në të ardhmen do të keni edhe “Mamale”, jo “Babale”. Jam i nderuar dhe kam medalje.
Do e ankimoni vendimin?
Salianji: Do të ndjekim të gjitha procedurat e tjera gjyqësore. Fatmir Xhafaj është një person që kërkon të kapë SPAK. Procedura nuk varet nga unë. Unë do të jem në dispozicion dhe do shkoj me qejf të bëj burgun ku të duan këta. E gjitha kjo bëhet para zgjedhjeve. Bëhet për shkak të problematikave që këtë kanë. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme, nuk jam i pari që bëj punë. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj nga burgu fushatën time…
Edhe në seancën e sotme, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij të opozitës, të cilët shkuan bashkë me të në sallë. Gjatë seancës, pati përplasje edhe me gjyqtarët, të cilët i tërhoqën vëmendjen për etikën.
DISKUTIMET NË SALLË:
Avokati i Salianjit, Indrit Sefa: Vendimi me dënim i Shkallës së Parë nuk duhet që të merret parasysh, është i paligjshëm. Nuk mund të administrohet si provë në këtë fazë që ndodhet procesi
Salianji: Të vij një vendim në këtë fazë është e paligjshme.
Gjykatësi drejtuar Salianjit: Kujdes me etikën!
Salianji-gjykatësit: E vërteta është më e kujdesshme se etika!
Ç’është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”.
Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza, nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit. Për dosjen, Salianji u dënua me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.