Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për perceptimin që është krijuar se Edi Rama nuk mund të mposhtet për shkak të pushtetit që zotëron sot.

Qori tha se pavarësisht se Rama “ka gangsterët dhe oligarkët me vete”, ka një pikë të dobët dhe ky është “kapitali moral”, i cili i mungon dhe parashikoi se kryeministri do të ketë një rezultat jo të mirë në zgjedhje.

“Andi Bushati thotë se jemi në diktaturë, një forëm autokracie. Problemi është që ne kështu kemi qenë gjithmonë. Nuk është se kemi patur ndonjëherë demokraci dhe degradoi kaq shumë sa tani të themi olele… Kërcënim me heqje nga puna nëse nuk merr pjesë në aktivitetet e qeverisë, mbaj mend që fëmijë, në klasë të gjashtë në 94’ më merrnin te referendum i Sali Berishës, të gjithë si bagëti shkonim aty. Pastaj Fatos Nano, tendera, PPP, koncesione edhe ato korrupsion gjithandej.

Televizione që i shërbejnë pushtetit? Gjithë kohës, shumica dërrmuese e televizioneve me pushtetin kanë qenë. Institucionet e drejtësisë të kapura nga pushteti, kur nuk ka qenë kështu? Ajo që është risi në këtë rast, ka një komponent ndërkombëtar që është shtesë, nuk ka qenë më parë. Ajo që ka ndryshuar është roli i oligarkisë ekonomike, pra është rritur impakti i oligarkisë ekonomike, se këta janë pasuruar e pasuruar dhe tashmë mendoj se ata e kanë kapur politikën, Edi Rama është i dobët para tyre.

Andi tha se SPAK përdoret nganjëherë në mënyrë propagandistike si zgjidhje për çdo problem. Unë mbaj mend nga vite të shkuara që kishte njerëz që thoshin në protestë, ti drejtohemi SPAK-ut dhe ti çojmë letër ambasadave. U bënë pesë protesta dhe nuk e kam dëgjuar nga një njeri i vetëm.

Pra njerëzit janë të vetëdijshëm që çështjet zgjidhen përmes organizimit politik të shoqërisë, pavarësisht se si mundohet gjithëkush tjetër për të instrumentalizuar çdo institucion. Prandaj roli i Lëvizjes Bashkë, është që të organizojë dhe të nxisë shoqërinë, që të përballemi me këtë pushtet. Nuk e di pse jeni kaq të sigurtë që Edi Rama do të fitojë bindshëm. E kam thënë disa herë, Rama ka kapitalin e gangsterëve, kapitalin ekonomik, por jo kapitalin moral. Në politikë kapitali moral është më i rëndësishëm.

Përndryshe çdo diktaturë do të riprodhohej pafundësisht. Vjen një moment që thyhet, sepse kapitali moral kur organizohet në mënyrë e duhur, mund të mposhtë kapitalin ekonomik dhe të gangsterëve. Ju mendoni se Rama e ka të sigurtë, kur pensionistët thonë nuk do e votojmë? Kur më shkruajnë nëpunës të administratës dhe thonë na detyron qeveria që ti marrim emrat dhe kartat ID kushërinjve në perëndim, kur më ndalojnë policët në rrugë dhe më thonë nën zë jemi me ty, Edi Rama e ka të sigurtë? Edi Rama mendon se e ka të sigurtë dhe kjo është pika e tij e dobët, do të shkojë në zgjedhje me vetbesimin e të marrit se i ka të sigurta mandatet, por kam bindjen që ka për të pasur një rezultat jashtëzakonisht të dobët dhe Parlamenti i ardhshëm nuk ka për të patur shumicë”, tha Qori