Dy shqiptarë, Romeo Qosja dhe Lefter Toçi, të dy 41 vjeç, janë arratisur nga Burgjet Bujqësore të Kassavetias, duke alarmuar autoritetet greke që prej ditëve të para të vitit 2025.
Të burgosurit, të cilët mbaheshin në një zonë pa gardh sigurie që nga viti 2019 për shkak të sjelljes së mirë, u arratisën mbrëmjen e së enjtes, më 2 janar 2025. Dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi.
Policia greke (EL.AS) ka nisur një operacion të posaçëm për kapjen e tyre, duke hetuar edhe në Perëndim të Atikës. Disa qytetarë kanë raportuar se i kanë parë dy të arratisurit, të cilët besohet se janë të armatosur dhe po qëndrojnë bashkë.
Romeo Qosja dhe Lefter Toçi janë dënuar me shumë vite burg për grabitje, zjarrvënie dhe përfshirje në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve. Në vitin 2024, ata kishin marrë pesë ditë leje dhe duket se kthimin e fundit e shfrytëzuan për të planifikuar dhe ekzekutuar arratisjen.
Zhdukja e tyre u konstatua në orën 21:00 të së enjtes dhe shkaktoi mobilizim të menjëhershëm të policisë, pasi konsiderohen shumë të rrezikshëm për shkak të së kaluarës së tyre kriminale. Kërkimet për gjetjen e tyre vijojnë. /gazetajone