-640-0-berisha-4-1732698750

Afati për dorëzimin e kandidaturave për procesin e primareve në Partinë Demokratike ka përfunduar ditën e hënë. Pas shumë diskutimeve dhe zërave pro dhe kundër që vunë në pikëpyetje mbajtjen e tyre, pasi grupi i Gazment Bardhit që u bashkua me vonesë me PD, i shihte si gijotinë për fatin e tyre politik, Sali Berisha shpiku një skemë ku i trajton demokratët si “ca të nënës dhe ca të njerkës”.

Për ta thënë më qartë, një pjesë e drejtuesve në PD janë rehabilituar duke e pasur vendin e sigurt për të qenë deputetë pas 11 majit, ndërsa pjesa tjetër do të sprovohet në garë.

Kështu një pjesë e deputetëve të ardhshëm të PD-së dihen që sot, pasi 19 drejtuesit politikë nuk do të hyjnë në primare dhe do të jenë në vende të sigurta në listë, ku një pjesë e tyre janë besnikët e kreut të PD që në qevrisjen e tij të parë; Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Jozefina Topalli, Belind Këllici, Albana Vokshi, Besar Xhaferri, Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Luciano Boçi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Ivi Kaso, Tomor Alizoti, Eno Bozdo, Tritan Shehu, Ina Zhupa dhe Bujar Leskaj.

Ndërkohë nga ana tjetër grupi parlamentar aktual nuk ka humbur kohë dhe ka hyrë në procesin e primareve, me përjashtim të deputetëve të Shkodrës, Helidon Bushati dhe Emilia Koliqi, si dhe deputetit të Durrësit, Ferdinand Xhaferi. Vetë Helidon Bushati ka deklaruar në rrjetet sociale se nuk dëshiron të jetë më deputet.

Në qarkun e Tiranës do të garojnë disa prej emrave më të njohur të PD-së në Parlament apo në Këshillin Bashkiak, ku bie në sy emri i Jorida Tabakut, e cila është deputete e Tiranës prej vitit 2013 dhe një prej figurave që në fillim ishte kundër Berishës, më pas shkoi sërish pasi ky i fundit mori vulën e PD-së.

Edhe mjeku i njohur Ilir Alimehmeti nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ka aplikuar për të qenë pjesë e primareve dhe për t’u zgjedhur deputetë. Pjesë e primareve do të jetë edhe Andi Mustafaj, djali i themeluesit të PD-së, Besnik Mustafaj, i cili drejton departamentin “Brain Gain”.

Një vend për deputet kërkon edhe zëdhënësja, Floriana Garo, e cilae ka shprehur disa herë publikisht këtë dëshirë dhe ka zgjedhur të kandidojë në primaret e Durrësit. Ndërsa nga grupi i kryetarëve të degëve, bie në sy se në Lezhë do të garojë ish-gjyqtari Gjin Gjoni, në Durrës Luan Hoti, në Tiranë Petrit Doda dhe në Elbasan Bledi Himci.

Megjithatë, primaret janë vetëm baza për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pasi lista përfundimtare do të hartohet nga kryesia e PD-së. Në përzgjedhjen e ekipit do të merret parasysh puna e secilit me diasporën, por edhe kontributi në betejën e PD-së kundër qeverisë.