Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar efektivin Shkëlzen Gjonaj, i cili u filmua një ditë më parë duke vjedhur para në një makinë, si dhe duke rrahur një të ri në një lokal.
‘Prokuroria e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Shkëlzen Gjonajn, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër, pasi u filmua duke vjedhur para në një makinë si dhe duke rrahur një të ri në një lokal. Urdhërndalimi ndaj 50-vjeçari është nxjerrë për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B.
Për rastin e transmetuar mbrëmjen e kaluar në media e për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore reaguan menjëherë, Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën. Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit.
Ne inkurajojmë investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës. Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe.
Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe’– njofton AMP.