Rigels Rajku, i njohur si Noizy u arrestua mbrëmjen e së martës nga policia e Lezhës në zonën e Kunës në Shëngjin. Reperi u ndalua nga një postobllok policie, teksa po shkonte për të performuar në një klub nate.

Pas ndalimit, Noizy është dërguar në Tiranë ku edhe do t’i nënshtrohet procedurave ligjore dhe do të vijohet me ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Noizy ishte në kërkim, pasi bashkë me disa persona të grupit të tij OTR kanë rrahur brutalisht Muhamet Isenin, i njohur në “TikTok” si Medi, bashkë me mikun e tij Bekim Hadergjonajn. Në pranga ka rënë edhe DJ i reperit Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.

Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.