
Arrestohet disa orë pas aksidentit shoferi i makinës “BMW x6” që u përplas me digën e Liqenit Artificial në orët e para të mëngjesit në Tiranë.
26-vjeçari Eldi Allushi është shoqëruar në polici ditën e sotme rreth orës 15:00, dhe pritet t’i nënshtrohet verifikimeve dhe hetimeve të mëtejshme.
Allushi po ecte me shpejtësi skëterrë nga rruga e “Kosovarëve” kur ngjiti digën e Liqenit Artificial dhe u përplas me bordurën prej betoni. Ai braktisi makinën dhe u largua i plagosur, ndoshta edhe nën efektin e substancave.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 15:00 të ditës së sotme, Policia e Qarkullimit Rrugor Tiranë ka arritur të lokalizojë dhe shoqërojë në komisariat shtetasin E. A., pronar i automjetit BMW X6, i cili mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15, është përplasur në bordurën mbrojtëse në skarpatin e digës së Liqenit Artificial.
Pronari i mjetit do t’i nënshtrohet verifikimeve dhe hetimeve të mëtejshme mbi rastin.