
Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili përplasi për vdekje një këmbësor pasditen e djeshme në Unazën e Madhe, në zonën e Astirit, në rrugën “Teodor Keko”.
Në pranga është vënë shtetasi me inicialet P. M. (M)., 30 vjeç, banues në Durrës. Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se viktima është ende i paidentifikuar.
Nga pamjet e publikuara, të filmuara nga kamerat e sigurisë, u pa se këmbësori po kalonte rrugën në një pjesë pa vija të bardha dhe të ndarë me trafikndarës. Gjithsesi, shoferi duhet të mbajë përgjegjësi për shpejtësinë e lartë me të cilën po drejtonte mjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.