Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për pasojat që ka për karrierën e tij hetimi i SPAK. Hoxha u shpreh se dosja rrodhi dhe u shpërnda qëllimisht, duke deklaruar se kjo ka vënë në rrezik burimet e tij dhe atë vetë.

“Patjetër që unë nuk ua kam thënë të gjitha, por jam munduar t’u them aq sa kam mundësi. Si është e mundur që dosja rrodhi në PDF dhe u shpërnda në kohë rekord dhe ka qenë më i shpërndarë se lajmi që u lirua Sali Berisha?

Unë e kam provuar që në fundin e viteve ’90. Atëherë më thonin kolonel i SHIK-ut, pastaj bashkëpunëtor i policisë, i krimit, e ka paguar Nano për t’i rënë Lazaratit, pastaj e ka paguar Rama për t’i rënë Berishës, pastaj Berisha për t’i rënë Ramës.

Kjo goditja ka synuar që përmes meje, për shkak të eksperiencës që kam, karrierës, informacionit dhe gazetarisë së kam bërë, krejt tjetër nga ç’e kanë bërë të tjerët. Unë kam qenë në rrugë. Ku ka kërcitur pushka, në Tropojë. A shkon kush? Jo. Kam shkuar unë. Ku ka kërcitur? Në Lazarat. Kam shkuar unë. Në Kolumbi. Se atje ikën njerëzit që në Kombinat apo te “Irfan Tomini” i gjeta atje.

Unë jam përpjekur të informoj këtë shoqëri për rrezikun. Motoja e trafikantëve dhe kriminalëve shqiptarë është: “Fëmijët tuaj janë e ardhmja jonë”. Kush do të na ruajë ne? Na ruan pushteti. Është ai jo vetëm i inkriminuar, por është ai që e dirigjon krimin. Këtu kush thotë se krimi dirigjon pushtetin, ia fut kot. Nuk kemi ne organizata më e forta kriminale se qeveria, se shteti, se RENEA.

Patjetër, e di që opinioni është i çoroditur, është bombarduar qëllimisht, është shkelur çdo standard ligjor. Është në urdhërin e gjykatës që ato të dhëna kanë dekonspiruar burimet e mia, më kanë vënë në rrezik seriozisht mua. Mund të ikja çdo moment për azil, nuk kishte shtet që nuk mund të më mbronte se unë aty dal që bashkëpunoj edhe me policë të vendeve të tjera. Kam komunikuar edhe me Çapjat, edhe me Çopjat. Por kanë dalë grupet e reja të Hi-tech. Ne po merremi në grupet e 2019-2021, por po hyjmë në 2025-ën.”- u shpreh Hoxha. /gazetajone