Artjola Zaimi , misteri dhe personi kyç te Ministria e Shëndetësisë për zhdukjen e dosjes sterilizimi

Mediat kanë hedhur më shumë dritë lidhur me personazhin enigmatik që fshihet pas figurës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, Artjola Zaimi.

Ajo ishte në krye të Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë kur u zhduk kontrata e sterilizimit. Për të mësuar më shumë mbi karrierën e saj, zëri interesua pranë institucionit që deri më tani ka ndërruar 2 drejtues që nga koha e Beqajt, megjithatë e vetmja që qëndronte stoike duket se ishte zonja Zaimi, ose ndryshe Kurtulaj.

STERILIZIMI/ Arrestohet ish-zv/ministri i shëndetësisë dhe biznesmeni (Emrat)

Në një komunikim me email me zyrën e shtypit, na është konfirmuar se: Znj. Artjola Zaimi është punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë në datën 13 Nëntor 2001 dhe në datën 15.08.2022 është larguar me dëshirën e saj.

Më tej, bazuar në kërkesat që redaksia ka paraqitur ka mësuar edhe gjithë karrierën e saj brenda institucionit.

PJESË NGA PËRGJIGJIA:

Znj. Artjola Zaimi është punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë në datën 13 Nëntor 2001 deri në datën 18 Tetor 2013, me detyrën Specialist Protokolli. Në datën 19 Tetor 2013 është emëruar me detyrën Specialist në Sektorin e Licensimit të Aktiviteteve private publike deri në datën 25 Mars 2015. Në datën 25 Mars 2015 është emëruar Specialist në Sektorin e Shërbimeve Juridike dhe Licensimit të Aktivitetit Shëndetësor Publik deri në datën 28 Korrik 2016. Nga data 28 Korrik 2016 është emëruar me transferim të përhershëm Specialist në Sektorin e Arkiv-Protokollit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri në datën 01 Korrik 2021. Në Korrik 2021 Znj. Zaimi, tranferohet përkohësisht në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, me detyrën Specialist në Sektorin e Mbështetjes së Strategjive Sektoriale të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, deri në datën 01 Janar 2022. Me përfundimin e transferimit të përkohshëm, rikthehet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në pozicionin e punës Specialist në Sektorin e Arkiv Protokollit deri në datën 15 Gusht 2022.

Edhe pse nënkuptohet se ajo ka qenë pjesë e protokollit, me detyrë zyrtare specialiste në Sektorin e Arkiv-Protokollit, Ministria e Shëndetësisë nuk jep një përgjigje konkrete se cili ka qenë aksesi i saj në dosjen e sterilizimit, e cila rezulton ende e zhdukur. Ndoshta hetuesit nuk duhet që të rrëmojnë shumë larg për të zbuluar të vërtetën, Artjola Zaimi mund të dijë shumë…

Artjola Zaimi është bashkëshortja e Ermal Kurtulajt, krahut të djathtë dhe vartësit të preferuar të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, është personi më enigmatik i dosjes që ndodhet në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Si besnike e tij, Artjola (Ola) Zaimi e ndoqi Beqajn pasi ai u drejtor i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ndaj edhe emri i saj përmendet edhe tek rrethi i personave që pastronin para përmes lëshimit të faturave fiktivë ne bashkëpunim me restorantet më me emër në Tiranë dhe jo vetëm. Megjithatë as për këtë dosje, ajo ende nuk është marrë në pyetje.