Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Dukën. Gjatë seancës së sotme, Leonard Duka nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim, duke zgjedhur që të heshtë para trupës gjykuese.

I vetëquajturi “Princi Damian” doli sot para trupës gjykuese, 3 ditë pasi u ekstradua nga Belgjika me urdhër të SPAK. Në GJKKO, ai do të gjykohet për disa ngjarje kriminale, mes tyre edhe planifikimin e vrasjes së armikut të tij të përbetuar, Ervis Martinaj.

Leonard Duka u arrestua Bruksel në shkurt të viti 2023 për vrasjen e Santiago Malkos, i cili ishte njeriu i besuar i Ervis Martinaj. Gjatë aksionit, policia ndërhyri në lagjen ku jetonte Muhamet Duka, duke hequr me shume se 13 kamera sigurie te vendosura në rrugë. Ervis Martinaj, i cili është i kërkuar nga drejtësia, vazhdon të jetë i zhdukur që prej gushtit të 2022 dhe policia nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Lidhja e Dukës me Martinaj

Arratia e Leonard Dukës, kreut të klanit ‘Duka’, të vetëquajtur dhe si ‘Princ Damiani’, një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019, përfundoi në shkurt të vitit që lamë pas. I shumëkërkuari ndërkombëtar u kap ditën e 14 shkurtit, ditë kur të dashuruarit festojnë, nën shoqërinë e një vajze. Atij iu gjetën armë dhe para. Vendndodhja e tij u zbulua nga Fast Albania, që informuan më pas Fast Belgjikë, grupi që bëri dhe arrestimin. Leonard Duka njihej dhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt. Ata kanë qenë ortakë dhe miq mjaft të mirë, që u kris kur në lojë u fut një shumë e majmë parash prej 800 mijë eurosh.

Ishte biznesi i lojërave të fatit ai që Duka e Martinajn themeluan bashkë, por shumë shpejt nisën përplasjet për këtë aktivitet, përplasje që përshkallëzuan dhe në eliminim të personave më të afërt të njëri-tjetrit. Dukajt vranë Santiago Malkon, të besuarin e Martinajt, ngjarje për të cilën ndodhet pas hekurave Blendi Teta. Ndërsa Ervis Martinaj, një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022