Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.

Joseph ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.

Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë.

Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph për RTK-në.