Këta janë dy të rinjtë që ishin në shënjestër të një atentati mafioz këtë të mërkurë në Shkodër.

Ndaj tyre u qëllua me breshëri automatiku.

Hamza Lici mbeti i vdekur si pasojë e të shtënave.

Ai është vëllai i Ibrahim Licit, një personazh tejet i njohur dhe i akuzuar nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale.

Ibrahim Lici dyshohet se është autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër dhe ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

Në shkurt të këtij viti, pikërisht Hamza Lici reagoi për mediat për arrestimin e vëllait të tij në Turqi.

Arlind Bushati, 32-vjeçari i cili mbeti i plagosur në atentatin e kësaj të mërkure në Shkodër, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës dy vite më parë.

32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës.

Ndërsa në Mars të 2022, godinës ku familja Bushati jetonte dhe kishte edhe biznes iu vendos tritol. Nga ngjarja nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Në atë kohë, vetë Xhemal Bushati për policinë mohoi të kishte konflikte.

Si pasojë e ngjarjes së sotme humbi jetën edhe Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur rëndë. Ata u përplasën nga makina e Licit pasi ky i fundit humbi kontrollin si pasojë e të shtënave.