Ardjan Gjeloshi 51 vjeç, pronari i firmës së inerteve në Kurbin, ka qenë objektiv i atentatit që ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00.
Zv/drejtori për hetimin e krimeve në Policinë e Lezhës, Gentian Berberi, tha për mediat se po hetohen konfliktet e mundshme të Gjeloshit. Vetë ky i fundit mbeti i plagosur nga atentati, por plumbat i morën jetën ekonomistit të firmës, Selman Mihana 70 vjeç.
“Dyshohet që është qëlluar me automatik. Ka të dhëna të lëvizjes së autorëve me një mjet. Po hetojmë konfliktet, mosmarrëveshjet që ka personi i cili është tentuar të vritet. Objektiv i atentatit është personi i cili ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht është në gjendje të mirë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, u shpreh Gentian Berberi.
Atentati tronditi Kurbinin mëngjesin e sotëm, kur breshëria e kallashnikovit në ambientet e një firme inertesh i morën jetën ekonomistit dhe plagosën pronarin. Ky i fundit raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, forca të shumta policore, përfshirë edhe ato RENEA, po bëjnë kontrolle për kapjen e autorëve. Këta të fundit dyshohet se kanë lëvizur me një automjet në momentin e atentatit.