Babai i Luisit, djalit të plagosur pas sherrit te shkolla “Fan Noli”, Fiqiri Meçe ka bërë një ankesë publike lidhur me mënyrën sesi po trajtohet i biri në spitalin e Traumës në Tiranë.
Në një intervistë që ka dhënë dje për emisionin ‘Review’, Meçe pretendon se i biri është thuajse i paralizuar në krahun e majtë, por spitali nuk i ofron fizioterapi. Në këto kushte janë detyruar që në mënyrë private t’i sigurojnë shërbimet mjekësore për të birin. Po ashtu, përveç fizioterapistit, pranë të miturit që u përball me vdekjen, nuk ka shkuar asnjë psikolog.
Në këto kushte, i ati tregon se po mendon që të birin ta transferojnë në një spital jashtë vendit.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as piskolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjëndjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmisohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë,”- tha babai i Luisit.
Të hënën, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një “pse më shikon?”, por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë.
TIRANË- Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet se në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjen e shokut të tij, është implikuar dhe një tjetër person. Ishte i ati i të plagosurit tjetër, Luis Meçe, ai i cili denoncoi se ndaj të birit kishte qëlluar një tjetër adoleshent dhe jo Mario Prelleshi, i cili tashmë është arrestuar. Por Policia i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke u shprehur se nga të gjithë dëshmitë e marra dhe nga pamjet filmike, kanë dalë në përfundimin se nuk ka asnjë autor të dytë.
“Po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë. Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinfirmon opinion publik,”-bën me dije Policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë. Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.
Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi. Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë. Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinfirmon opinion publik. /gazetajone