Grupet kriminale shqiptare, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe këtë e kanë provuar edhe komunikimet që ata kanë pasur në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, të zbardhura nga autoritetet belge të cilat ia kanë dërguar SPAK-ut.

Një bashkëpunim dyshohet se ka pasur edhe mes bandës së Suel Çelës nga Elbasani dhe bandës së “Bajrave” në Shkodër.

Për këtë vlen të theksohet fakti e arrestimit të tre shtetasve nga Elbasani, Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta të dyshuar si atentatorët e shpërthimit me tritol ndajLulzim Kullës, ngjarje e ndodhur në 13 janar 2018 në qytetin e Shkodrës.

Ky atentat dyshohet se ishte dhe pikënisja e përplasjes së përgjakshme më pas mes Bajrave dhe Licëve.

Endri Çopja konsiderohet si një anëtar i bandës së Suel Çelës, edhe pse duhet theksuar fakti se tre elbasanllinjte u shpallën më pas të pafajshëm nga drejtësia për ngjarjen për të cilën u akuzuan.

Gjithsesi, bashkëpunimi mes Suel Çelës dhe grupit të Bajrave kuptohet dhe nga komunikimet në “Sky Ecc”, të cilat janë pjesë e dosjes së SPAK, në operacionin e ekzekutuar ditët e fundit për goditjen e grupit të tij, edhe pse gjërat siç duket nuk kanë shkuar mirë më vonë.

Më konkretisht, në dosjen e SPAK është një bisedë mes Suel Çelës dhe shkodranit Prekë Kodra, ku e kontraktoi këtë të fundit për të bërë qitjen me snajper në atentatin ndaj Ardian Çapjas më 8 Qershor të vitit 2020.

Bëhet fjalë për një bisedë që i përket datës 9 Gusht të vitit 2020, rreth 1 muaj pas atentatit ndaj Çapjas dhe sipas SPAK, dyshohet se Prekë Kodra, do të përfshihej në një ngjarje kriminale që do të realizohej për llogari të fisit Bajri, shkruan BoldNews.

Marjus Lulaj alias Suel Çela, përmes një mesazhi dërguar në “Sky Ecc”, e këshillon Prekë Kodrën që të mos përfshihet në këtë ngjarje, pasi sipas tij, Bajrat nuk janë të mirë, pasi ai i ka provuar vetë. Sipas Suel Çelës, nëse ngatërrohesh me Bajrat je ose në burg, ose në varr dhe Prekë Kodra do të merrte fund.

Marjus Lulaj alias Suel Çela: Amanet aty mos u perzi…tjesh i sigurt do maresh fun me ata aty…bajrit sjan tmir ti i ke provu e un i kam provu me ata je o nburg o nvarr ma nigjo fjalen per buk nuk ngel skam vdek akoma un…shok as mos e meno me u perzi me ta sje budalla…ato dy rrug ke me ata ma nigjo fjalen…do merje fun me ata kte koh…ti je perfol direkt kan me arth te ty sa tnodhi ngjarja bajrit flasin gjitha mohabetet nuk i rruhet kari mrapa te ty koha e ka tregu…po i di dhe kto i kam nigju…shok zhytja me ata ash noqean celsat…po e lem gecohet ca dit e po tthem tvish te flasim gojarisht

Nga biseda, Suel Çela le të nënkuptohet se i konsideron Bajrat si tradhtarë, por nuk dihen detahet se çfarë mund të ketë ndodhur mes tyre dhe se në cilat ngjarje mund të kenë bashkëpunuar.