Banka e Shqipërisë deklaron se agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë kanë ashpërsuar problemet globale me prodhimin dhe ofertën dhe kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës, gazit, drithërave dhe metaleve.
Projeksionet flasin për rritje afatshkurtër për inflacionin, që do të sjellin rritje të kostove të prodhimit, uljen e konsumit, uljen e investimeve dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. Sektori bankar i Shqipërisë nuk pritet të ndikohet nga konflikti Rusi-Ukrainë, por bankat duhet të vlerësojnë rreziqet e reja dhe të marrë masa për to.
BSH ka bërë një vrojtim me bankat për luftën dhe pritet që kohëzgjatja e ndikimit negativ në ekonomi do të jetë mbi 1 vit, rritje e fortë inflacioni, thellim i deficitit buxhetor dhe përkeqësim i bilancit buxhetor.
Sektorët që pritet të ndikohen më së shumti janë energjia, drithërat, ndërtimi e turizmi. Bankat nuk presin ndikim të ndjeshëm të aktivitetit të tyre nga lufta, por shprehin shqetësim të madh për mundësinë e sulmeve kibernetike dhe cilësinë e kredisë. Në një analizë specifike të ekspozimit të Shqipërisë ndaj Rusisë tregon se importet me Rusinë dhe Ukrainën zënë vetëm 1.5% dhe 2% të totalit të tregtisë së mallrave.
Shqipëria importon 40% të drithërave nga Rusia, ndërsa importet nga Ukraina janë të parëndësishme. Në periudhë afatgjatë duhet të merren masa për të ulur varësinë ndaj vendeve të tjera për ushqime dhe energjinë elektrike.
Kërkesa dhe oferta për pasuri të paluajtshme vjet është rritur. Rritja e çmimeve të banesave është 8.4% në vitin e kaluar, ndërsa në Tiranë çmimet u rritën me 12.5%. BSH po punon për të përmirësuar të dhënat mbi këtë treg duke marrë në konsideratë edhe rreziqet që potenciale që e shoqërojnë.