Banka më e madhe zvicerane UBS Bank është në bisedime për të blerë bankën rivale të saj dhe të dytën më të madhe në Zvicër, Credit Suisse.
Kjo e fundit raportoi se aksionet e saj kanë rënë ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Për këtë arsye mori hua prej 54 miliardë Dollarësh nga Banka Kombëtare e Zvicrës.
Por edhe pas kësaj huaje, duket se çështja nuk është zgjidhur. Credit Suisse po përballet me mungesë besimi nga investitorët. Besohet se aksionet e bankës mund të vazhdojnë të bien.
Reuters raporton se banka UBS i ka kërkuar qeverisë zvicerane që të mbulojë një kosto rreth 6 miliardë Dollarë nëse do të blejë bankën Credit Suisse. Në rast të çdo marrëveshje, kjo do të nënkuptonte edhe shkurtim të vendeve të punës.
Credit Suisse është një nga bankat më të mëdha në botë dhe e dyta më e madhja në Zvicër.
Shqetësimi i investitorëve është nëse kjo situatë paralajmëron një krizë globale financiare. Problemet me Credit Suisse vijnë edhe pas falimentimit në SHBA të dy bankave.
Qeveria zvicerane zhvilloi një mbledhje urgjente mbrëmjen e së shtunës, por nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare.