Në fshatin Kakarriq, rreth 2 muaj e gjysmë më parë u strehua ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikualj, shtetasi portugez Ruben Saraiva.
News24 solli dëshmitë e banorëve të fshatit, të cilët pohuan jashtë kamerës se i riu portugez lëvizte lirshëm në zonë. Ata pohuan se për gati 2 muaj e gjysmë portugezi ka jetuar në banesën e Edmond Haxhisë, i cili dyshohet se është porositësi i vrasjes së biznesmenit në Shëngjin, ngjarje që ndodhi më 19 prill.
“Shtetasi portugez prej dy muajsh kishte ardhur në fshatin Kakarriq dhe lëvizte i lirë. Në fillim u raportua se jetonte me qira në këtë fshat, por banorët thanë se në këtë fshat nuk ka banesa me qira. Shtetasi portugez ka jetuar në banesën e Edmond Haxhisë, por herë pas here shkonte dhe në Shkodër. Pasi kishte kaluar pak kohë, kishte nisur të mësonte në gjuhën shqipe dhe përshëndeste në shqip. Lëvizte me veturë dhe motor, pikërisht me motorin që përdori për të kryer krimin. Ai motor është përdorur herë pas here nga 27-vjeçari.”, raportoi live gazetari.