![IMG_9730](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_9730.jpeg)
Pas nisjes së hetimit nga SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj, i cili tashmë ndodhet prapa hekurave, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, këta të fundit nisën të marrin kontakt me të gjithë personat që thirreshin për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme. Kjo me qëllim për t’i orientuar se çfarë duhet të deklaronin gjatë pyetjes nga prokurorët e posaçëm, dikujt duke e qetësuar se asgjë s’do të ndodhte, e të tjerëve duke i shantazhuar që të mos rrëfeheshin. Janë pikërisht dëshmitë e vartësve dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të Ajola Xoxës që kanë ndihmuar prokurorinë të hedhë dritë mbi aferat korruptive të dyshuara dhe skemën e komplikuar të pastrimit të parave.
Në dëshminë e tij, Driant Zeneli ka shpjeguar se një ditë para se të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme, është takuar me shtetasen Ajola Xoxa dhe dy avokatë. Takimi është zhvilluar në një zyrë avokatie në ish-Bllok. “Në këtë takim, Ajola u mundua të më qetësonte, duke më thënë se Harabeli dhe NAN-I (Galeria Nan) janë në rregull,” tregon artisti.
Zeneli ka qenë drejtor ekzekutiv i qendrës Harabel dhe thotë se nuk është marrë me organizimin e qendrës, fondet, dokumentet ligjore, gjetjen e sponsorëve apo me menaxhimin e pagesave, pasi për këto gjëra vendoste Ajola Xoxa. I pyetur për apartamentin ku ushtronte aktivitetin kompania Harabel, ai ka shpjeguar se nuk e dinte që ishte shtëpi banimi, por e kuptoi ditën që u ushtrua kontroll nga BKH. Ndërsa nuk ka dijeni se kush është pronari përfitues i qendrës Harabel.
Sipas hetuesve, deklarimet e Driant Zenelit rezultojnë fakte me interes për hetimin, pasi tregojnë padijeninë e tij për menaxhimin financiar dhe aspekte të tjera organizative të Harabel, ku është drejtor ekzekutiv. Është Ajola Xoxa që merr të gjitha vendimet për Harabel dhe Nan shpk.
Adela Kondakçiu, e konsideruar si truri financiar i kompanive të Ajola Xoxës, para se të paraqitej në prokurori ka pasur 3 takime me avokatët dhe Ajola Xoxën.
Ajo thotë në dëshmi se Ajola dhe avokatët i kanë sugjeruar që të ishte konfuze në përgjigje dhe të thoshte “s’më kujtohet” si dhe të merrte kohë për përgjigjet. Adela shpjegon se edhe herën e parë kur i është sekuestruar telefoni nga SPAK, Ajola e ka marrë në pyetje në lidhje me komunikimet që kishte në telefon.
Kondakçiu ka shpjeguar mënyrën sesi funksiononin kompanitë e Ajola Xoxës. Ndërsa në lidhje me klientët kryesorë të shoqërisë Ava Studio, Kondakçiu ka shpjeguar se faturat e lëshuara kundrejt ASLV, Qendra Harabel, BYL-A, Eventus, Frobolous, Driant Zeneli individ, kanë qenë të gjitha fiktive me qëllim justifikimin e zërave për buxhetin e projekteve të tyre.
Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e BYL-A, ka qenë dëshmitarja e tretë. Ndryshe nga dy të tjerët që kanë pranuar se janë kontaktuar nga Ajola Xoxa dhe janë këshilluar të mos tregonin asgjë në SPAK, kjo e fundit pretendon se është shantazhuar të mos fliste nga Xoxa dhe Klotilda Bushka, deputete e PS-së, e cila tashmë është zyrtarisht nën hetim. Madje, Xoxa dhe Bushka i kanë sekuestruar celularin.
Takimi mes palëve sa më lart konfirmohet përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, por edhe provave të tjera që ndodhen në dosjet e prokurorëve./vna.al