Adrian Çela një nga drejtorët më jetëgjatë dhe më të rëndësishëm të qeverisë socialiste është larguar nga detyra si administrator I Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group. Oligarkia.al ka mësuar se dy ditë më parë, afati i zotit Çela si administrator i OSHEE ka përfunduar dhe emërimi i tij nuk është rinovuar më.

Adrian Çela erdhi në krye të OSHEE në dhjetor të vitit 2014, gjatë kohës kur qeveria nisi një aksion të gjerë për disiplinimin e sektorit energjetik. Aksioni u shoqërua dhe më debate të forta jo vetëm politike, për shkak të goditjes që qeveria u bëri edhe familjeve të varfra, që nuk mund të paguanin energjinë elektrike.

Në atë kohë, u arrestuan nga policia me mijëra qytetarë për mospagesën e energjisë elektrike, ndërkohë që në disa raste burgosjen përfunduan me tragjedi, sic ishte rasti I një qytetari që vari veten në burgim.

Për 9 vjet Adrian Çela ka qenë një nga drejtorët më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm të administratës socialiste, saqë shpesh rëndësia e tij eklipsonte dhe atë të ministrave të energjisë. Por me ardhjen e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Energjisë situata ndryshoi.

Mes zonjës Balluku dhe Çelës ka patur një betejë të ashpër në heshtje. Një vit më parë, ministrja e Energjisë ndërmorri disa ndryshime në statutin e OSHEE, të cilat praktikisht zbehën pushtetin dhe kompetencat e Adrian Çelës. Ndërkohë që fuqia brenda sektorit të shpërndarjes së energjisë kaloi tek Blendian Dalipi, drejtori i OSSH-së, që etiketohet si një nga njerëzit më të afërt dhe të besuar të Ballukut.

Kjo betejë underground, përfundoi 2 ditë më parë, kur mandati i Adrian Çelës si administrator i OSHEE group përfundoi dhe nuk u rinovua më. Çka do të thotë se pushtetit të pakufijshëm të zëvëndëskryeministres tashmë i shtohet dhe kështjella e fundit që kishte mbetur jashtë, sistemi i shpërndarjes së energjisë.