Ndërkohë që zyrtarisht askush nuk e ka konfirmuar misterin që rrethon fatin e ish-bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë me një version. Në një prononcim për “Quo Vadis”, Berisha bazuar në përgjimet e publikuara nga gazetari Elton Qyno, del në përfundimin se Martinaj është vrarë dhe se madje kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore. Berisha drejton gishtin tek kreu i qeverisë, Edi Rama.
“Ju nuk e di, e keni lexuar apo jo publikimin e fundit të gazetarit investigativ Elton Qyno, i cili faktonte nga bisedat e bëra midis bandave se porositësi i vrasjes së Ervis Martinajt, është Edi Rama. E ke politike, i thoshte Bajri Ervis Martinajt, e ke politike s’kam ç’të të bëj unë. Dhe ky i thoshte, partia jote po më dënon. Pra, pasi Rama e paralajmëroi se ta dimë targën dhe do merrem personalisht, Rama angazhoi policinë. Mbase si ekzekutorë kanë qenë banditë. Por, ai u nda në fund me një oficer poliCie. Gjë e cila është e qartë se kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, ekstraligjore, ekstrakushtetuese,”- tha Berisha.
Çfarë thuhet në përgjimet e publikuara nga gazetari Elton Qyno?
Në biseda të shkëmbyera mes Bajrit dhe Martinajt në vitin 2022, kreu i bandës në Shkodër e paralajmëron Martinajn se mund të goditet politikisht. Ndërsa nga ana tjetër Martinaj pretendon se nuk meret fare me politikë dhe se s’ka lidhje me të. Bajri gjithashtu shprehet se ajo që po përpiqen të bëjnë është t’i faturojnë vrasjen e ish-bankierit Artan Santo.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022 dhe deri më tani, fati i tij është mister. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Deri më tani, edhe pse kanë kaluar dy vite nga ngjarja, zyrtarisht nuk dihet se çfarë ka ndodhur me fatin e tij, pavarësisht hipotezave të përfolura.