Bie nga pallati 11 katësh polici që arrestoi 28-vjeçarin Martin Mane , djalin e biznesmenit Samir Mane

Një efektiv i Policisë Rrugore është rrëzuar nga lartësia e një pallati në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Policia bën me dije se 57-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sakaq, po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Me datë 15.01.2025, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, dyshohet se ka rënë nga lartësia e një pallati shtetasi A.S, rreth 57 vjeç, me detyrë Specialist i Qarkullimit Rrugor Tiranë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi Hetimor po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, portale prestigjioze si vna.al raportojnë se polici në fjalë është i njëjti që disa ditë më parë ka arrestuar Martin Manen, djalin e biznesmenit Samir Mane.

Kjo lidhje po shton misterin mbi rrethanat e ngjarjes. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht këtë rast.

Arrestimi i Martin Manes

Sipas raportimeve paraprake, 28-vjeçari ka përplasur dy automjete të parkuara dhe është larguar nga vendi i aksidentit, por është ndaluar pak metra më tutje nga efektivët e policisë, të cilëve fillimisht u ka kundërshtuar kryerjen e testit të alkoolit. Testi më pas ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur.

“M. M., 28 vjeç, pasi në rrugën “Xhorxh Bush”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur 2 automjete të parkuara dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Disa metra më tej, pas ndalimit nga punonjësit e Policisë, 28-vjeçari i ka kundërshtuar ata për kryerjen e testit të alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur”, njoftimi që nisi policia.