Sherri masiv në Kepin e Rodonit për pronësinë e një parcele prej të paktën 750 metrash katrorë zbulon një mori shkeljesh të të gjitha institucioneve shtetërore vendore dhe qendrore.

Shkelja e parë dhe më flagrante lidhet me faktin që Bashkia e Durrësit i ka dhënë leje kompanisë ‘Albania Tourist Resort’, me aksionere kryesore dhe administratore shtetasen Ana Shtjefni, edhe pse prona në fjalë është nën sekuestro nga ana e SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë në kuadër të hetimit për tjetërsimin e mbi 60 mijë metër katrorë prona përgjatë vijës bregdetare të Gjirit të Lalëzit, ku mes të akuzuarve është edhe Aleksandër Laho, njohur ndryshe edhe me emrin Pëllumb Muharremi, ose si ‘Rrumi i Shijakut’.

Shkelja e dytë lidhet me paqartësinë e statusit të pronës. Në dokumentin e pronësisë në emër të Kishës Françeskane prona kategorizohet si truall, ndërsa në dokumentin që zotëron familja Kaculi ajo është tokë bujqësore e përfituar përmes ligjit 7501.

Burime të Voxnews.al pohojnë se dyshohet se certifikata e pronësisë e kishës është e falsifikuar nga persona të tretë që nuk kanë lidhje me institucionin fetar, por që kanë shfrytëzuar emrin e saj për qëllime përfitimi dhe tjetërsimi të pronës në fjalë.

Bashkia e Durrësit e ka dhënë lejen në emër të kompanisë Albania Tourist Resort. Përfaqësuesja e kësaj kompanie thotë se e ka pezulluar atë pasi është njohur me pretendimin e palës tjetër për pronësinë e tokës.

Nga një pjesë e mirë e mediave, Shtjefni është prezantuar si përfaqësuese e Kishës Katolike. Kontaktuar nga Voxnews.al, përfaqësues të kishës katolike deklarojnë se Shtjefni nuk është përfaqësuese e saj.

Burime të Voxneës.al pohojnë se po verifikohet marrëdhënia që ka kompania ‘Albania Tourist Resort’ me kishën katolike, që zotëron dhe administron një pjesë të pronave në Kepin e Rodonit, përfshirë këtu kishën e Shna Ndout dhe kalanë e Skënderbeut.

Paraprakisht dyshohet se kompania është kontraktuar nga kisha për të mbledhur të ardhurat për vizitorët në Kepin e Rodonit dhe përdorimin e këtyre të ardhurave për mbrojtjen dhe sigurinë e monumenteve të kulturës.

Por, trau i vendosur nga ana e kompanisë, ku aplikohet një çmim prej 5 eurosh për të hyrë në park praktikisht ka privatizuar edhe pjesën shtetërore e publike të kësaj zone, që është ndër më të vizituarat edhe nga të huajt.

Përveç dyshimeve mbi bazën ligjore dhe vendimmarrjen që kompania në fjalë mban traun në hyrje të Kepit të Rodonit, analizat financiare të kësaj kompanie ngrënë dyshime edhe për evazion fiskal. Të dhënat e Ministrisë së Turizmit tregojnë se vetëm në janar të 2022, Kepin e Rodonit e kanë vizituar 2100 turistë, që do të thotë rreth 10 mijë euro të ardhura vetëm në një muaj.

Megjithatë, në bilancet financiare të dorëzuara në QKB, kompania deklaron vetëm 203 mijë lekë si mjete monetare, ndërsa raporton humbje në 2021 dhe 2020 prej pandemisë.