IMG_9893

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur detaje nga dosja hetimore e laboratorit të kokainës në fshatin Qerek në Fushë Krujë.

Në dosje thuhet ndër të tjera se në bazë të përgjimeve telefonike të përftuara, rezulton se midis datave 5-6 shkurt 2024, Artjon Çaushllari është shpesh në kërkim të një lënde kimike të llojit Permanganat Kaliumi dhe Bisulfit Sodiumi.

Një ditë më pas, më datë 7 shkurt, Çaushllari është ndalur në një rrugën Vangjush Furxhi, ku ka marrë në një banesë, një lidhje të tij kolumbiane. Kontakt i cili është fotografuar.

Nga ku më pas të dy kanë shkuar në ambientet e një kompanie, ku dyshohet se kanë siguruar lëndët kimike, të cilat do i përdornin si prekursorë për ekstraktimin apo përpunimin e kokainës.

Është kjo ndjekje e cila duket se çon agjentët operacionalë në bazën e parë të përpunimit të kokainës nga grupi kriminal.

Atë të një laboratori droge të fshehur në një vilë të braktisur në fshatin Manzë të Durrësit.

Këtu, ku nga raporti i vëzhgimit, del se Artjon Çaushllari pasi ka siguruar kimikatet, lë të vetëm në banesë kolumbianin që kishte marrë me vete në Tiranë.

Me siguri që tashmë ai të vazhdojë punën i pavarur për ekstraktimin e kokainës.

Dosja Hetimore

Pasi Artjon Çaushllari dhe lidhja e tij kolumbiane siguruan lëndët kimike në Tiranë, ata vihen re teksa udhëtojnë në drejtim të zonës së Radës, Durrës.

Në orën 11.20, të dy takojnë shtetasin Baki Huqi, në lokalin e këtij të fundit, dhe më pas të tre nisen drejt zonës së Manzës në Durrës.

Ku shihen teksa frekuentojnë një vilë në lagjen nr 9, në një rrugicë pa dalje, të pabanuar me dritare të mbyllura dhe e nxjerrë në shitje nga pronarët.

Vetëm një orë më pas Artjon Çaushllari dhe Baki Huqi dalin nga vila, dhe lënë brenda saj shtetasin kolumbian.

Ku dyshimet janë se ambientet e vilës shfrytëzohen me qëllim ekstraktimin apo përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.

Ky duket se është edhe momenti kulmor, ku tashmë Artjon Çaushllari, krijon bindjen se më në fund kishin mundur të kryenin procesin e ekstraktimit të kokainës.

Kjo pasi kolumbiani duket se ia kishte dalë me sukses të kryente këtë proces në laboratorin e vendosur në vilën e braktisur në fshatin Manzë.

Çka duket se sjell një lumturi të pamatë te Çaushllari vetë.

I cili nuk vonon ta ndajë këtë lajm të jashtëzakonshëm që do u ndryshonte jetën, edhe memiqtë e tij. Midis të cilëve edhe Klajdi Birçe.

Edhe ky një tjetër i arrestuar në kuadër të të njëjtit grup kriminal, në operacionin që përfundoi me sekuestrimin e laboratorit të Qerekës në Fushë-Krujë.

  • “Mbaruan hallet”, ja çfarë i tha Artjon Çaushllari-Klajdi Birçes

Më datë 20 shkurt 2024, Artjon Çaushllari është takuar me një person të paidentifikuar në ambientet e një lavazhi pranë Portit të Durrësit.

Pas këtij takimi Çaushllari u kthye në Tiranë, kurse personi i paidentifikuar u fut në Portin e Durrësit. Pas këtij takimi Çaushllari ka telefonuar lidhjen e tij Klajdi Birçe, të cilit dëgjohet teksa i thotë që ‘mbaruan hallet’.

Nuk dihet se çka dashur Artjon Çaushllari të thotë me fjalinë ‘mbaruan hallet’, por ajo që mund të nënkuptohet është se grupi kishte arritur me anë të ekspertit kimist kolumbian të kryejë procesin e përpunimit të kokainës. Dhe kësisoj t’i jepte udhë transportit të saj nga Amerika e Jugut.

Ku lënda narkotike do të fshihej e papërpunuar në kontejnerë dhe më pas do të vinte në Shqipëri, ku do të ekstraktohej në laboratorët e kokainës të ngritura nga grupi, në pika të ndryshme të vendit. Takim që mesa duket kishte shërbyer, para kësaj telefonate, në Durrës midis Çaushllarit dhe personit të paidentifikuar që më pas kishte hyrë brenda në port.

Person që mund të ketë qenë edhe një pikë lidhje e grupit me Portin, me qëllim kalimin pa problem të sasive të kokainës, që do të vinin më pas në Shqipëri.

Kontakte, të cilat janë dokumentuar edhe më herët, siç thamë nga fundi i muajit dhjetor 2023 dhe në vazhdimin e muajve të parë të vitit 2024.

Ku antenat celulare kanë pikasur lëvizjet e vazhdueshme të Artjon Çaushllarit dhe të ‘mikut’ të tij kolumbian.

Lëvizje të cilat kanë përfunduar në të njëjtën zonë në Durrës.

Aty ku dyshohen se kanë përpunuar një sasi të papërcaktuar kokaine.

Përgjime të cilat gjatë kësaj kohe nxjerrin në skenë edhe një shtetas turk.

I cili në fillimin e muajit janar vihet re të takohet në Tiranë, në një nga restorantet në qendër të tij, me Artjon Çaushllarin.

Me të cilin disa ditë më herët ishin parë të udhëtonin nga Kosova, me automjetin e babait të një prej lidhjeve të afërta të Artjon Çaushllarit.

Ndërkohë që më datë 10 Janar, ky i fundit udhëton nga Tirana drejt Durrësit.

Këtu ku takon një lidhje të tij të paidentifikuar.

Person që dyshohet se i ka siguruar ambientet për përpunimin e kokainës apo si furnizues i tij me kokainë të pa procesuar.

Ai që shërben si kujdestar personal i kolumbianit që prej kohësh ruhej si sytë e ballit në Tiranë, del se është Klajdi Birçe.

Që për gjatë gjithë kohës kujdeset që ‘djalit’ siç ai e quan kolumbianin të mos i mungojë asgjë.

  • Të dyshuarit u takuan në një lokal në Tiranë, si e thurën planin për trafikun e drogës

Më në fund një lajm i mirë kishte mbërritur. Pas një pritje të gjatë, lehtësimi në portretin e djemve ishte i dukshëm. Ngarkesa me drogë tashmë kishte marrë rrugën nga Republika Dominikane, dhe kjo do të thoshte për ta fundi i halleve.

Një punë për të cilën ata kishin investuar para dhe mund, së cilës kishte ardhur momenti tia merrnin frytet. Gëzim të cilin Artjon Çaushllari, e ndau edhe me anëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë.

Por që si çdo gëzim i tillë, duket se ishte i përkohshëm. Pasi ata nuk e dinin, se e gjithë ëndrra e tyre për t’u pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe të padrejtë do të merrte fund mbrëmjen e 24 Nëntorit 2024.

Mbrëmja kur në bazat e tyre do të mësynin forcat operacionale të policisë. Të cilat ishin vënë në ndjekje të grupit shqiptar të trafikut ndërkombëtar të drogës, prej më shumë se një viti.

Dhe kishin mbajtur në monitorim të gjitha lëvizjet e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si brenda dhe jashtë Shqipërisë, deri në Amerikën Qendrore dhe atë të Jugut.

Aty nga ku nis e zë fill i gjithë mendimi i tyre për të bërë para nëpërmjet drogës. Por si ranë autoritetet shqiptare në gjurmët e Laboratorit të Kokainës në fshatin Qerekë në Fushë-Krujë?

Kush i informoi ata lidhur mbi grupin kriminal, që prej kohësh kishte filluar aktivitetin në Shqipëri?

Cilët ishin këta djem që kishin marrë përsipër këtë operacion kaq të ndërlikuar, por edhe kaq fitimprurës? Dhe kush ishte mentori i tyre shqiptar në Amerikën e Jugut, i lidhur me një nga bosët e karteleve të drogës në Kolumbi, por që ky i fundit ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar kishte zbarkuar në Shqipëri, duke udhëhequr operacionin për ekstraktimin e kokainës.

A ishte Laboratori i Kokainës në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës, i pari dhe i vetmi që ata kishin ndërtuar në Shqipëri, ndërkohë që kishin nisur nga puna për pasurimin e kokainës dhe ekzistenca e tyre kishte shërbyer si një test besueshmërie për organizatën kriminale shqiptare, në sytë e karteleve të drogës në Amerikën e Jugut.

Një fakt i pazbuluar më herët, kur për herë të parë emisioni ‘Në Shënjestër’ nxjerr në dritë edhe dy laboratorë simotër me atë të sekuestruar në fshatin Qerekë në Fushë-Krujë.

Njëri në fshatin Manzë në Durrës. Si edhe një tjetër në fshatin Buçimas në Pogradec.

Ku si në laboratorin e parë ashtu edhe në atë të dytë, personazhë dalin të jenë anëtarë të të njëjtit grup kriminal. Të njëjtët, të cilët kishin thirrur në ndihmë edhe ‘ekspertë kimistë’ nga Amerika e Jugut.

Që del se kishin arritur ndërkohë të kryenin në këto dy laboratorë procesimin e një sasie të papërcaktuar kokaine. Ku qëllimi tashmë ishte të sillnin tonelata me kokainë nga Amerika e Jugut, dhe nëpërmjet këtyre laboratorëve të bënin të mundur ekstraktimin e tyre dhe pasi kokaina të ishte e pastër, të transportohej dhe të shitej në tregun evropian.

Por para se të shkojmë te Laboratori i Qerekës, mbrëmjen e 24 Nëntorit 2024, që rezultoi të jetë edhe fundi i udhëtimit të këtij grupi kriminal që po ëndërronte të pasurohej nëpërmjet drogës, cilat janë përgjimet e Prokurorisë së Posaçme, që dekonspiruan dhe fundosën të gjithë planin e organizatës, për të trafikuar dhe më pas procesuar kokainën nëpërmjet laboratorëve në Shqipëri.

Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’ i gjithë monitorimi i grupit kriminal fillon në fundin e muajit dhjetor 2023.

Koha, kur agjentët operacionalë në terren fillojnë të mbajnë në vëzhgim lëvizjet e disa prej pjesëtarëve të grupit. Fillimisht të Artjon Çaushllarit. Dikur një ish-zyrtar në Bashkinë Tiranë. I cili kishte drejtuar Ndërrmarrjen e Punëtorëve Nr 3 në kryeqytet.

Por që në vitin 2017, pasi LSI partia që ai përfaqësonte u shkëput nga koalicioni qeverisës me Partinë Socialiste, ai edhe drejtues të tjerë u larguan nga postet publike që mbanin.

Çaushllari, i cili në fundin e vitit 2023 del në përgjime teksa mban konktakte me një person të panjohur. Ku gjatë bisedave ai lë të kuptohet se ka zhvilluar takime në Durrës me disa shokë të cilët kanë peshkarexha.

Momenti kur në skenë del edhe emri i shtetasit Aldi Zonja. Edhe ky më pas një nga personat e ndaluar në kuadër të operacionit të shkatërrimit të grupit kriminal.

Të dy, gjatë kësaj periudhe vihen re shpesh në praninë e njëri-tjetrit. Teksa koordinojnë së bashku, atë që grupi hetues mendon se ishte synimi i përbashkët për trafikimin e lëndës narkotike dhe pasurimin e saj në laboratorë të krijuar enkas për kokainën në Shqipëri.

Dosja Hetimore

Më datë 18 të këtij muaji, të dy vihen re teksa takojnë një person të panjohur në një restorant në Tiranë, mesa duket me qëllim planin e përbashkët të trafikut të lëndëve narkotike.

Pas këtij takimi të dy janë larguar, me një automjet me targa gjermane, që përdorej nga lidhja e tyre e afërt Erjon Duda. Si dhe të personazheve të tjerë, që do të identifikoheshin më pas si pjesë e grupit.

Por ajo që duket se do t’i tradhtonte, ose në një farë mënyre do t’i nxirrte zbuluar në sytë e agjentëve operacionalë që tashmë ishin vënë në ndjekje të tyre, ishte gjuetia e tyre në kërkim të një preparati kimik që përdoret kryesisht edhe për ndarjen e kokainës.

Këtu ku për herë të parë. në pah gjatë këtyre lëvizjeve del edhe një kolumbian, që prej kohësh kishte gjetur strehim në Tiranë.

I cili shikohet shpesh të vizitohet nga Çaushllari, që e merr me vete edhe në xhirot e tij sa nga kryeqyteti në drejtim të Durrësit./ “Në Shënjestër”