Një atentat i mbetur në tentativë në vitin 2019, është zbardhur me zhdukjen e shumë të kërkuarit, Ervis Martinaj.
Eldin Dergjeni-Borova nuk ishte vetëm në makinë natën e 11 shtatorit 2019, por bashkë me Martinaj, i cili i ka shpëtuar atentatit me disa lëndime.
Ngjarja është dukur dhe raportuar si aksident rrugor i një makine të blinduar “Mercedes Benz G Class” me targa ruse me vlerë që mund të arrijë deri në 250 mijë euro, por pas tij ishte fshehur një atentat i mbetur në tentative, raporton Inside Story.
Eldin Dergjini (Borova), vëllai i ish-deputetes së LSI-së, Ambra Barova humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga.
Vëllai i ish-deputetes kishte ndërruar mbiemrin për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë, mesa duket ishte në shënjestër për Ervis Martinajn, të cilin po e transportonte.
Shoferi është shprehur në Polici se dikush e ka ndjekur nga mbrapa me automjet dhe i ka goditur makinën gjë që solli edhe daljen nga rruga.
“Kam qenë duke ecur me makinë me shpejtësi. Vura re që kisha një automjet pas, por nuk e di nëse po më ndiqte. Ajo makinë më goditi nga pas. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime ngeli në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi”, ka thënë shoferi në Polici.
Por ende nuk dihet se kush e dëshironte të vdekur Martinajn, i cili ruhej teksa edhe qarkullonte me makinë të blinduar, me targa ruse “H001CH 199”.