Vetëm 15% e aksionerëve më të rinj të 130 bizneseve më të mëdha me kapital shqiptar në vend janë më të rinj sesa 42 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre i kanë aksionet e trashëguara nga prindërit. Pse mungojnë sipërmarrësit e rinj në Shqipëri? Përgjigjja është te modeli ekonomik i vendit. Si po e gjejnë të rinjtë rrugëzgjidhjen tek emigracioni. Emigrojnë edhe bizneset inovative!
Mark Zuckerberg, themeluesi i “Facebook”, tashmë i quajtur “Meta”, u bë miliarderi më i ri në botë i vetëkrijuar në moshën 23-vjeçare. Evan Spiegel, CEO i kompanisë së medias sociale Snap, ishte miliarder pa mbushur të 30-at.
Sara Blakely, sipërmarrëse amerikane, themeluese e Spanx, me veshje të brendshme, hyri në klubin e milionerëve në moshën 29 vjeçe. Bota njeh pa fund raste kur të rinj të talentuar, nëpërmjet risive në teknologji, apo një modeli të veçantë biznesi, kanë arritur të thyejnë shumë barriera.
Por, në Shqipëri, të fillosh një biznes në moshë të re, të arrish që të rritesh brenda një kohe të shkurtër, të qarkullosh e fitosh miliona, duke konkurruar me më të mëdhenjtë, është një mision pothuajse i pamundur.
Vetëm 7 kompani shqiptare, nga më të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor, kishin të paktën një aksioner më të ri sesa 32 vjeç (të lindur pas vitit 1990) sipas një kërkimi të “Monitor” në listën e 200 sipërmarrësve më të mëdhenj.
Këta përbëjnë vetëm 6% të totalit të 130 sipërmarrjeve të marra në analizë, duke përjashtuar bizneset me kapital të huaj, bankat dhe shoqëritë e sigurimit.
Më të rinjtë janë të moshës 25 vjeç. Por, të gjithë këta të rinj rezultojnë, sipas dokumenteve zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) se i kanë përfituar këto aksione si trashëgimi nga prindërit, ose për shkak të lidhjeve familjare, apo të biznesit që mund të kenë pasur me kompani të tjera.
As grupmosha nga 32-42 vjeç nuk ka arritur të shkëlqejë në biznes, me vetëm 12 ndërmarrje, ose 9% e VIP-ave. Por, ndryshe nga më të rinjtë, pjesa më e madhe ia kanë dalë që të ecin me forcat e veta. Vetëm 16% e tyre kanë përfituar aksione, për shkak të trashëgimisë apo lidhjeve familjare.
Aksionerët e moshës nën 42 vjeç, që kanë aksione në kompanitë më të mëdha me kapital shqiptar në vend, përbëjnë vetëm 15% të totalit të VIP-ave. 26% janë të grupmoshës 43 deri në 52 vjeç. Mbizotërues tek VIP-at është mosha 53 vjeç e lart (të lindur përpara vitit 1970), që zë gati 60% të totalit të aksionerëve të kompanive VIP.