Shqiptarja e cila u arrestua pasi la në makinë foshnjën 4 muajshe për 40 minuta, është dënuar me 6 muaj burg dhe 3 muaj me kusht për neglizhencë.
22-vjeçarja ka dalë para gjykatës dhe është njohur me masën e arrestit, ndërsa tha se e kishte lënë fëmijën në makinë sepse ishte në gjumë dhe se nuk kishte në plan që të vonohej shumë.
Ajo tha se vonesa kishte ndodhur për shkak se në dyqanin ku ishte futur për të blerë diçka, kishte pasur shumë radhë.
“E mora me vete sepse nuk kisha ku ta lija. E lashë sepse e ushqeja me gji gjatë gjithë rrugës. Fëmija ishte i lodhur. Kur arritëm atje e zuri gjumi. Shkova për të marrë disa gjëra dhe do të kthehesha shpejt. Në arkë kishte shumë njerëz, prandaj u vonova”, tha ajo.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në lindje të Selanikut, ndërsa foshnja ka mbetur vetëm në automjet për të paktën 40 minuta.
“Ajo ishte në sediljen e fëmijës, makina ishte e mbyllur dhe dritarja ishte gjysmë e hapur. Foshnja u zgjua dhe po qante”, tha një dëshmitare okulare, e cila njoftoi dhe policinë.