Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në kërkim nga SPAK-u për korrupsion dhe pastrim parash, ka artikuluar mbrëmë akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama. Në intervistën për emisionin “Çim Peka Live” në Syri Tv, Ahmetaj, mes të tjerave, deklaroi se kryeministri ka qenë dy herë në hotelin ‘Palace Hotel’ në Bolzano të Italisë.
Sipas Ahmetajt, në këtë hotel, Rama ka qenë në programin e detoksifikimit, ku për një javë, sipas Ahmetajt, ka kushtuar 10 mijë euro për një person. Ndërkohë që për pagesën, Ahmetaj ka theksuar se këtë e ka paguar një miku i Ramës që është biznesmen në Shqipëri dhe që ka marrë lejë ndërtimi si shpërblim.
“Po mirë, gazetarët investigativë, verifikoni ku ka qenë kreu i organizatës (Rama) në Palaco Hotel në Bolzano, qendër detoksifikimi. Ka qenë më shumë se dy herë. Ka qenë me zonjën e tij, personi kushton 10 mijë euro në javë. I ka paguar një biznesmen që është afër familjes dhe personi ka marrë në vazhdimësi leje ndërtimi. Le ta verifikojnë, Palace Di Merino, është një vend shumë i shtrenjtë, kanë qenë familjarisht, pa fëmijët dhe ka paguar biznesmeni që ka marrë leje ndërtimi. Ky që se ka tradhtuar asnjëherë Shqipërinë. Le t’i kërkojë SPAK-u, pse nuk i kërkon,” tha Ahmetaj.
Ahmetaj nuk e përmendi emrin e biznesmenit, për të cilin pretendon se i ka paguar Ramës shpenzimet në qendrën e detoksifikimit. Burime për Prapaskenën theksuan se bëhet fjalë për bashkëshortin e moderatores Alketa Vejsiu, Ardi Nelaj, përfitues lejesh ndërtimi, i njohur për një miqësi të hershme me Edi Ramën. Ahmetaj i referohet pikërisht Ardian Nelajt, por nuk ka paraqitur dokumente, siç edhe dolën me dokumente rezervimet për akomodimin e tij në hotele me 5 yje.
Nga verifikimet rezulton se për një qëndrimin 7 ditor në këtë qendër, çmimet nisin nga 13 mijë e 335 euro për një dhomë normale hoteli. Ndërkohë që për suitat, çmimet shkojnë nga 14 mijë e 120 euro deri në 19 mijë e 580 euro. Në përshkrimin e programit, shihet që aty përfshihen 6 ditë trajtime të ndryshme, duke përfshirë kontroll bioenergjetik, trajtime bioenergjetike, konsulencë ushqimore, masazhe energjike, trajtime energjike hidro-baltë të ndara në tri faza, sauna, fitnes dhe aktivitete fizike në natyrë.