Ato janë një grup shoqesh të cilat i gjenden gjithnjë pranë njëra-tjetrës. Mes monotonisë dhe vështirësive të jetës ato kanë kuptuar se tashmë mund të jetojnë një jetë të dytë.
Shpesh organizojnë udhëtime apo evente nga më të ndryshmet, të cilat organizohen nga më e madhja në moshë prej tyre Llambrinia. Pikërisht për të falenderuar këtë “zonjë engjëll” siç e quajnë pesë mikeshat e saj, ishin këtë të diel në rubrikën “Kam Një Mesazh Për ty” në “E Diela Shqiptare”.
E ndërsa secila ka treguar historinë e saj, Shpresa ka zbuluar se duke qenë se eventet që organizonin së bashku me shoqet ishin të shpeshta, herë-pas herë, e gënjente burrin dhe nuk i thoshte se kishte shkuar në udhëtim, por se kishte mbledhje pune.
Shpresa: Jeta ime ka qenë monotone, i përkushtohesha familjes, fëmijëve, nuk më dilte kohë, jo vetëm që nuk kisha kohë, por nuk kisha shoqe. Goca e tezes sime më mori në udhëtim. Udhëtimi im i parë ishte Valbona, ishte një mrekulli. U bëra pjesë e këtij grupi, duke pasur një Llambrini Gjinari që e kemi ftuar sot. Ajo është e përkryer, gojëmbël.