Çantë Louis Vuitton 1 200 euro, Shqiponja Telhaj është zyrtarja e ASCAL që u korruptua për diplomat false të WISDOM
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Guardia Di Finanza, që kanë çuar në pranga dy administratorët e Universitetit Wisdom në Tiranë, të cilët kanë ngritur një skemë mashtrimi, ku shpërndanin diploma false për studentët në Itali.
Nga përgjimët e siguruara nga GDF zbulohet se një zyrtare e lartë e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, rezulton që të jetë korruptuar me një çantë Luis Vuitton, me vlerë 1200 euro, e cila më pas i ka hapur rrugën akreditimit të universitetit në Shqipëri.
La Republica shkruan se zyrtarja në fjalë është Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL.
Në dosje thuhet se Drejtuesit e Kolegjit Universitar “Wisdom”, gjatë një darke i dhanë zyrtares së Ministrisë së Arsimit, Shqiponja Telhaj, një çantë të markës “Louis Vuitton” me vlerë 1200 euro në Shqipëri me datë 03.08.2022‘.
Kjo agjensi është një organ qeveritar, ndërsa Telhaj rezulton që të jetë zgjedhur me emërim direkt nga kryeministri. Telhaj ka pasur detyrën që të ndiqte të gjithë procedurën për akreditimin e Wisdom University.
Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit.
Duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, ata morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.
Në rrjetet sociale Nino Cianci ka postuar foto nga jeta e tij në Shqipëri, ku nuk mungojnë takime me zyrtarë, profesorë dhe një axchendë e ngjeshur universitare.
Burrë e grua, tashmë gjenden pas hekurave, ndërsa në qeli përfunduan dhe bashkëpunëtorë të tyre, të gjithë shtetas italian. / Gazeta Jonë