Në 11 qershor, Drejtoria e Tensionit të Lartë në kompaninë publike OSSH shpalli tenderin për ndërtimin e nënstacionit të ri 100 kv dhe zhvillimin e linjës 35 kv Akërni-Aeroporti i Vlorës.
Tenderi me fond limit të paracaktuar prej 4.27 milionë euro u zhvillua në 4 korrik.
Në të u paraqit vetëm një ofertë, ajo e kompanisë 4-AM me vlerë 4.1 milionë euro, e cila u shpall fituese.
Në datat 1 dhe 3 korrik OSSH shpalli dhe tre tendera të tjerë të mëdhenj.
I pari ishte ai për zhvillimin e linjës me dy qarqe 35 kV nga nënstacioni i Kafarajt deri në Hoxharë. Fondi limit i kësaj procedure ishte vendosur 4.72 milionë euro.
Në garë u paraqitën dy oferta. Kompania Encoal ofroi çmimin 4.68 milionë euro, ndërsa komania Senka e dorëzoi ofertën bosh, pa asnjë vlerë financiar.
Si rezultat tenderin e fitoi oferta e vetme, ajo e kompanisë Encoal me vlerë sa 99.1 për qind e fondit limit.
Një skemë kriminale
Në të dy tenderat e tjerë është përsëritur e njëjta skemë.
Kompania Senka që hyn në garë si mbushës topi duke mos paraqitur fare ofertë financiare dhe një kompani tjetër që hyn me ofertë dhe fiton tenderin.
Në tenderin 6 milionë euro për rikonstruksionin dhe fuqizimin e N/Stacionit Kafaraj, oferta e vetme që u shpall fituese ishte ajo e kompanisë LA-OR, e cila e mori kontratën me çmimin 5.87 milionë euro ose sa 98 për qind e fondit limit.
Senka bëri sërish të njëjtën skemë duke hyrë në garë me ofertë zero, ndërkohë që një tjetër bashkim kompanish ofroi një vlerë gati në kokë të fondit limit.
Po kështu edhe në procedurën tjetër të prokurimit, atë për ndërtimin e nënstacionit të ri 110 kv të Piqerasit me fond limit 4 milionë euro.
Edhe këtë herë në garë u paraqitën vetëm 2 oferta. Ajo e kompanisë Envi Power me vlerë 3.87 milionë euro dhe Senka që sërish ofertoi bosh.
Sipas skemës që përsëritet identik në çdo tender të OSSH-së, fitues u shpall kompania Enbi Power me vlerë sa 97 për qind e fondit limit.
Miliarda pa garë
Vetëm në 4 tenderat e zhvilluar gjatë muajit të fundit, OSSH treti plot 20 milionë euro pa garë, me çmime në kokë të fondit limit.
Por babëzia është aq e madhe sa që loja e kontrollit të tenderave është shumë e trashë. Gjithmonë vetëm një ofertë reale dhe Senka që shërben si mbushës topi, duke hyrë në çdo garë me ofertë boshe.
Tashmë që çmimet e materialeve kanë rënë ndjeshëm pas pandemisë, shumë nga tenderat në institucionet e ndryshme publike po prokurohen me çmime 20 për qind e madje edhe deri në gjysmë të fondit limit. Vetëm OSSH nuk çedon.
Babëzi deri në qindarkën e fundit. Njësoj si çetë kusarësh që avullon miliarda lekë pa garë. Dhe faktet janë tek dokumentat zyrtarë./ Kapitali.al