Fatmir Xhafaj është përplasur dje me ambasadorin e BE-së në Tiranë. Silvio Gonzales mesa duket nuk i ka pritur mirë përpjekjet e komisionit të posaçëm drejtuar nga zoti Xhafaj, i etiketuar dhe si komisioni që po përpiqet të vërë nën kontroll institucionet e drejtësisë, kryesisht SPAK-un. Në sinkron me ambasadorin e BE-së ishte dhe deputetja Jorida Tabaku. Në cilësinë e kryetares së komisionit të integrimit, zonja Tabaku shprehu shqetësimin se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin si rezultat i asaj pune që ka nisur një komision i posaçëm nuk duhet të cenojnë dhe të mos prishin standardet në favor të politikës dhe në dëm të drejtësisë.
Në tryezën e sotme, ku u publikua raporti vjetor krahasues 2020-23 mbi punën e SPAK, Xhafaj tentoi të justifikojë punën e komisionit të tij me justifikimin se pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën.
Por ambasadori i BE-së ishte i qartë kur tha se pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Sipas tij, kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre, duke theksuar se janë mekanizmat e brendshëm ato që mundësojnë që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi.
Një pikë tjetër e debatit ishte dhe raportimi i institucioneve të drejtësisë në Kuvend. Një proces që u shoqërua me shumë debate dy muaj më parë, kur kryetari i SPAK u sulmua nga deputetët e opozitës, ndërkohë që mazhoranca thjesht “shijoi spektaklin” që shërbeu si platformë për ngritjen e komisionit. Fatmir Xhafaj tha sot se ky proces (pra, raportimi në Kuvend) është i pamjaftueshëm. Sipas tij, duhen gjetur mënyra se si mund të fuqizojmë mekanizmat që njeh Kushtetuta dhe ligji dhe se si mund të shtojmë mekanizma të rinj që janë në funksion të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës.
Ndërhyrja e Xhafajt në këtë proces sërish është kundërshtuar nga Silvio Gonzato, për të cilin nuk mund të flitet për ndryshimin e kontrolleve dhe balancave aktuale ose për ndryshimin e hierarkisë midis institucioneve të ndryshme të drejtësisë.
Gjatë aktivitetit të sotëm, edhe ambasadori i Holandës ka kundërshtuar deklaratat e Xhafajt, duke mbështetur SPAK-un si një institucion që po kryen detyrën me përkushtim dhe që nuk duhet të vendoset nën presionin e politikës të asnjë krahu.
Në aktivitetin e organizuar sot nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), u publikua raporti vjetor krahasues 2020-23 mbi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këtë konferencë kishte përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, politikës dhe shoqërisë civile, ndërkohë që SPAK u përfaqësua në nivel ekspertësh, të cilët komentuan dhe analizuan rezultatet e këtij raporti.