Hueyda El Saied u nda nga jeta 7 muaj më parë në moshën 46-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, duke lënë dhimbje dhe boshllëk të madh tek të gjithë njerëzit e saj të dashur dhe këdo që e njihte nga afër apo nga ekrani. Të premten, figura e saj u nderua gjatë një ceremonie në Presidencë nga Presidenti i Republikës në largim Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i Madh” (Pas vdekjes); “Për kontributin e saj në fusha të ndryshme të artit, por edhe si aktiviste në mbrojtje të të drejtave të njeriut”.
Për të tërhequr këtë titull ishin në Tiranë bashkëshorti i saj Thierry Grosjean dhe djali 6-vjeçar Gabriel që erdhën nga Luksemburgu. Ata ishin këtë të shtunë edhe në studion e “Rudina”, së bashku me nënën e Hueyda-s, Diana Çoku, si dhe dy miqtë e saj, moderatorin Xhani Shqerra dhe sipërmarrësen Rafaela Rica.
Të ftuarit kujtuan së bashku vajzën e jashtëzakonshme me shpirt të bukur, artisten e shumë talenteve, ndërsa moderatori Shqerra ndau me publikun edhe disa prej cilësive që ka trashëguar Gabrieli nga nëna e tij e ndjerë.
“Gabrieli ka trashëguar nga mamaja, por edhe nga dashuria e gjyshes dhe e babait mbi të gjitha, përjetimin e gjësë në mënyrë shumë serioze, me atë etikën e tij si të ishte një djalë i rritur. Edhe pse është i vogël dhe nuk e kupton rëndësinë apo gjithë këta njerëz përreth që duan ta përqafojnë, sepse të gjithë ne na duket sikur përqafojmë motrën tonë, apo vajzën e dashur të ekranit… Ai nuk e kupton, por seç merr një përgjegjësi sikur është le të themi, ai është i pari i shtëpisë që duhet t’i përgjigjet gjithë kësaj dashurie ashtu siç i takon. Edhe pse është i vogël, është shumë i dashur, shumë i talentuar. Ka dashurinë për kamerat edhe për gjithçka ka të bëjë me komunikimin. Është shumë i kujdesshëm ndaj babait. Edhe me mua që kishte kohë që nuk më kishte parë, mua më thërret daja Xhani, vrapoi tek unë si të ishim ndarë dje. Kjo është meritë mbi të gjitha e babait, e Thierry-t, duam që ta falenderojmë publikisht për këtë lidhje që mban me rrënjët”.