Forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshi edhe ato të RENEA janë parë sot në qytetin e Vlorës, katër ditë pas atentatit me snajper që i mori jetën një 22-vjeçari.
Forcat e policisë janë parë në hyrje-daljet e qytetit bregdetar duke ushtruar kontrolle të shumta. Kontrolle ka patur edhe në disa banesa, ndërsa numri i të shoqëruarve për ngjarjen e rëndë deri tani ka shkuar në 30.
Një ditë më parë në Vlorë shkoi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla reagoi duke kërkuar nga policia që të hartojë një plan masash për kontrolle të imtësishme.
Pista ku janë përqëndruar hetimet është ajo e hakmarrjes. Gëzim Sinomati ishte djali i Sokol Sinomatit i cili ndodhet në burg për vrasjen e një personi në vitet 2000. Ai ka qenë anëtar i bandës Gaxhait që vepronte në qytetin bregdetar në vitet ‘97.