Kryeministri Edi Rama nga takimi me shqiptarët në Selanik, ka folur edhe për sfidat që ka hetimi nga drejtësia ndaj individëve të lidhur me pushtetin e Partisë Socialiste.
Rama u shpreh se herë pas here, atë përpiqen ta përfshijnë atë në debate për ndodhi që nuk janë nën kontrollin e tij.
“Më nxjerrin lista emrash dhe fotografish, duke më bërë përgjegjës moralisht për hetimet që po zhvillohen. Në fakt, është krejt e kundërta me mua”.
Kryeministri tha se, ndonëse mund të ndjejë keqardhje për individët e hetuar në nivel personal, ai ndjen përgjegjësi për besimin që shqiptarët i kanë dhënë atij për tre mandate rresht.
“Partia Socialiste ka hequr duart nga pushteti politik dhe i ka dhënë drejtësisë lirinë e nevojshme për të vepruar pa ndikuar nga politika”.
Rama shprehu besimin se kjo qasje do të sigurojë një sistem drejtësie më të fortë dhe më të pavarur, i cili mund të veprojë pa u ndikuar.
“Tani drejtësia vepron vetëm drejt, pa parë majtas e djathtas”.
“Sa herë më marrin në pyetje zëdhënësit e axhendave të ndryshme më nxjerrin lista emrash, apo siç ndodhi me opozitën e vetme që kemi për debat, Blendi Fevziun, më nxjerr një listë me fotografi e emra ku unë duhet të ndihëm përgjegjës moralisht pse drejtësia ka hetuar, po heton e ka akuzuar apo dënuar individë të lidhur me pushtetin e PS. Në fakt krejt e kundërta ndodh me mua.
Natyrisht nuk mund të më vijë mirë për arsye personale, por për arsye të kontratës me shqiptarët që më kanë dhënë besimin 3 herë rresht, me një vullnet të hekurt PS plotësisht vetëdijshëm, të gjithë së bashku, ja hoqi duart e pushtetit politik drejtësisë nga qafa dhe i dha gjithë lirinë e nevojshme për të vepruar pa parë majtas e djathtas, por vetëm drejt”, u shpreh ai.